Pas ankesave të qytetarëve për zvarritje të çështjeve që lidhen me pronësinë në Fier, Kryeministri Edi Rama urdhëroi sot shkarkimin e drejtorit të Hipotekës së Fierit.
Lajmin e bëri të ditur vetë Kryeministri Rama në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes. Vetëm në këtë takim, u paraqitën 3 raste të ankesave të qytetarëve për çështje të pazgjidhura në Hipotekën e Fierit.
Njëri prej rasteve kishte të bënte me ankesën e një 77-vjeçari, i cili nuk pajisej me certifikatën e pronësisë së tokës bujqësore, edhe pse kishte ndjekur të gjitha hallkat administrative.
77-vjeçari atë pasuri e kishte marrë në mënyrë të ligjshme dhe donte t’ia linte trashëgim së bijës. Në tetor 2017, ai aplikoi, pasi kishte mbyllur të gjitha procedurat në bashkinë Roskovec. Iu drejtua ADISA-s, por edhe pse plotësoi dokumentacionin e kërkuar çështja vijoi të zvarritej nga Hipoteka. Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes, ai u pajis me certifikatën e pronësisë.
E vërteta është, tha Kryeministri Rama, se 77-vjeçari jo vetëm ka marrë dokumentin, por ka shkarkuar edhe drejtorin e Hipotekës Fier. “Kemi pasur disa raste nga Hipoteka e Fierit për çështje të pronësisë në tokën bujqësore. Vetëm sot ishte një rast i mëparshëm, rasti i 77-vjeçarit dhe një rast tjetër më pas. Kur pashë raportin e sotëm kam kërkuar shkarkimin e drejtorit të Hipotekës dhe thellimin e hetimit administrativ për këtë zvarritje”, – tha Rama.
Në atë zonë, vijoi Kryeministri, ne jemi të interesuar të shpërndajmë një orë e më parë parcelat e tokës. “Platforma e bashkëqeverisjes na ndez llampat e kuqe aty ku duhet të ndërhyjmë. Fakti që qytetarët thonë kam 6-7 muaj, apo 1 vit, është e mjaftueshme në këtë aspekt”, – tha Rama, duke shtuar se platforma e bashkëqeverisjes nuk është thjesht një slogan, por është realitet.