Prej kohësh kemi shkruar për zgjatjen e mandatit të ambasadorit në ikje të SHBA në Tiranë Donald Lu dhe vendosmërinë e tij për të parë “peshqit e mëdhenj” në burg. Dhe zgjatja e këtij mandati dha dhe impaktin e parë tek drejtësia shqiptare, duke rikthyer një abuzues në burg.
Dashamir Xhika, drejtori i rrugëve i Ilir Metës është rikthyer sërish në qeli për t’u hetuar nën arrest dhe për të marrë dënimin për abuzimin që ka bërë me rrugët në Shqipëri, sidomos për atë Tiranë-Elbasan.
Vendimin për ta rikthyer në burg, ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika e ka dhënë Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Ajo vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Xhika kthehet në qeli pas kërkesës së prokurorisë për Krimet e Rënda, më 27 korrik. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e liroi Xhikën më 23 korrik, vendim që u mor në fshehtësi dhe u mësua nga media më 26 korrik.
Në vendim thuhej se Xhika mund të gjykohej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi nuk ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore. Ish-kreu i Autoritetit Shqiptar të Rrugëve u prangos më 2 shkurt 2018, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Xhika, dhe zyrtari tjetër i ARRSH-së, Andi Toma përfaqësues i Berishës ky, janë nën akuzë se abuzuan me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar në vlerën e 5 milionë eurove.
Xhika nuk akuzohet vetëm për këtë dosje. Mbi ish-numrin një të ARRSH-së, rëndon edhe akuza e shpërdorimit të fondeve për aksin Tiranë-Elbasan, një rrugë e nisur para shumë vitesh dhe e papërfunduar deri më sot, që ka thithur dhe 35 milionë euro të tjera para zgjedhjeve dhe tashmë po thith dhe 16 milionë euro, paratë këto që do merren hua nga qeveria e Ramës.
Ndërtimi ishte parashikuar të kushtonte 407 mln dollarë, por në auditin e ministrisë së Infrastrukturës, rezultoi se kishte një dëm prej 54 milionë dollarë. Pavarësisht se kishte një abuzim të tillë të rëndë në kurriz, ai u lirua një muaj më parë, ndërkohë që tashmë do të jetë në qeli ku do të rrëfejë se ku kanë shkuar paratë./Pamfleti