Ngjarja e rëndë e ndodhur së fundmi dhe që ka tronditur komunitetin e gazetarisë në vend është bërë shkak edhe për përplasje në mes gazetarëve. Të ndarë dhe me qasje të ndryshme kundrejt mënyrës se si bëhet gazetari, në qarqet e medias ka patur shkëmbime të forta replikash dhe akuzash.
I tillë ishte edhe statusi i gazetarit Adriatik Doçi, i njohur për linjën e ashpër dhe pakompromis përkundrejt Mentor Kikisë, i njohur si partizan i gazetarisë “kënetë”, megjithëse kontribuon fuqishëm në pastrimin e mjedisit natyror..
Statusi i Adriatik Doçit:
Zotëri, të kërkosh punë për një anëtar të familjeje të shkolluar, gjithnjë vetëm në rrugë të ligjshme, pa pranuar kurrë të japësh edhe 1 qindarkë në këmbim, nuk është gjobëvënie, por është një e drejtë themelore se sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pas asaj juristes mendjelehtë, e cila ishte lehtësuar se plumbat e mafies kishin qenë (sipas saj) jo për Klodiana Lalën, por për vëllain e saj, në skenë doli edhe njëfarë Mentor Kikia, i cili me një stil kapsllëku rrekej të përligjte sulmin e mafias mbi gazetarët, me pretendimin se disa gazetarë qenkërkan gjobëvënës, të cilët dëmtojnë gazetarët e ndershëm.
Ndërsa nga ana tjetër, të përdorësh pozitën për të zënë dashnore, të vjedhësh lajmet ekskluzive tek Top Channel dhe t’i botosh më parë tek portali i xhepit, të të shkarkojnë me ceremoni dhe më pas të ankohesh tek televizionet e tjera, kjo është poshtërsi dhe abuzim me punën e kolegëve.
Çështja e gazetarëve gjobëvënës është shumë e thjeshtë, por e komplikojnë ata që flasin “qesim” dhe që nuk kanë b… të flasin me emra konkretë, kush janë ata që kanë vënë gjobë dhe kujt i kanë vënë.
Është shumë e thjeshtë sepse një gazetar që paguan kredi, nuk ka shtëpi të dytë, nuk ka makinë luksoze, nuk luan bixhoz, nuk bën udhëtime luksoze, nuk ka llogari të majme etj., pra një gazetar i varfër, nuk mund të jetë kurrsesi gjobëvënës.
Nejse Kiki, se ndoshta të kanë dhënë ndonjë sufllaqe ndonjë drejtor apo drejtoreshë e korruptuar…
Statusi i Kikisë
Për Klodiana Lalën dhe ata që abuzojnë me lirinë e fjalës
Rasti i sulmit me armë në shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala duhet të zbardhet me urgjencë.
Sepse, ne duhet të dimë nëse ai sulm i adresohej asaj pesonalisht, për shkak të profesionit, pra për shkak të asaj që ajo ka shkruar apo ka folur?
Sepse, ne duhet të dimë nëse ka shkuar deri këtu reagimi i njerëzve të fortë, të politikës dhe krimit, që nuk lejojnë tu preket as imazhi publik? Apo për të mësuar që ka shkuar deri këtu kërcënimi ndaj punëtorëve të medias?
Sepse, nëse kjo është e vërtetë, atëherë jemi në një situatë të rëndë dhe alarmante dhe autorët duhet të dalin para drejtësisë në “mënyrë shembullore”, sa më shpejt.
Sespe, edhe nëse ai sulm ka arsye të tjera, duhet të zbardhet, sa më parë, për ti siguruar jetën atyre njerëzve që u paralajmëruan atë natë në mënyrë ”simbolike”, e për të davaritur panikun e krijuar mes tyre.
Ky nuk është rasti. Ngjarja ta do që sot të ngrejmë të gjithë zërin kundër asaj që ndodhi. Dhe unë e bashkoj të gjithë britmën time me ata që bërtasin për të siguruar lirinë e medias, lirinë e punës tonë për të informuar dhe denoncuar paudhësitë dhe maskarallëqet e pafundme në këtë vend. Ky pra, nuk është rasti, për të thënë gjëra të tjera, por unë mendoj se duhen thënë. Pikërisht në shërbim të asaj lirie që ne e kërkojmë me forcë, jo për vete, por si frymë dhe gjak për demokracionë tonë.
A e abuzojmë ne gazetarët lirinë tonë, apo, a abuzojmë ne me të tjerët, në emër të profesionit tonë? Të flasësh “qesim”, por guximshëm, nuk është gazetari investigative. Kjo dëmton imazhin tonë, profesionin e misionin tonë, dhe u shërben edhe më shumë atyre që duhen denoncuar, jo me fjalë të guximshme, por me fakte të forta. U shërben atyre që kërkojnë heshtjen tonë. U shërben, të na zhvlerësojnë dhe konsiderojnë si koshere që gumëzhin, pa pickuar.
Portalet e mediat online mbushen çdo ditë me lajme të tilla. Me saktë me shkrime ku nuk dallohet ku mbaron lajmi e ku fillon qëndrimi i autorit. Akoma më keq, çdo kush i jep të drejtë vetes të thotë çdo gjë, të sulmojë e shajë gjithkënd, dhe kjo në emër të gazetarisë, lirisë së medias. Padyshim, media duhet të jetë e lirë, pa asnjë kufizim. Por jo e lirë të llapë, të shajë e denigrojë, shpesh edhe njerëz krejt pa faj. Duhet të jetë e lirë të denoncojë, të informojë e investigojë.
Në emër të gazetarisë, edhe një syresh ndër ne, shkruan në median e tij dhe nëpër portale, duke sharë e shpifur ndaj një familjeje. Duke mos i lënë kusur, gruas e burrit, fëmijëve dhe farefisit, themeleve të shtëpisë dhe katundit të origjinës. Duke i nxjerrë në pazar deri edhe dhëmbët e dhëmballët të mbushura e të pambushura, recetën e ilaçeve të stomakut, zemrës e qetësuesit e gjumit. Kjo shitet si denoncim i korrupsionit. Në fakt është një përndjekje kriminale që bëhet, sepse gruaja-drejtoreshë arsimi, nuk i futi në punë si mësuese bashkëshorten gazetarit. Dhe gazetarit mos ia kthe fjalën, se ai të bën gjëmën. Dikush tjetër shkruan natë e ditë për dyqane e supermarkete që shesin ushqime të rrezikshme. Pa asnjë fakt, asnjë provë, pa asnjë emër artikulli. Vetëm duke abuzuar me ndjeshmërinë e njerëzve për sigurinë ushqimore e vetëm për të vënë gjoba ndaj tregtarëve. Nëse këta soj gazetarësh i rrahin nesër në ndonjë qoshe, a duhet vallë të protestojmë për cënimin e lirisë së medias?
Respektimi i lirisë është padyshim i dyanshëm. Ne e kërkojmë lirinë, jo për veten tonë, por në emër të demokracisë, për të përmbushur një mision, që nuk është në shërbimin tonë, por në shërbim të demokracisë dhe shoqërisë. Të jesh gazetar nuk është një privilegj. Eshtë një detyrë, madje e vështirë, për ti shërbyer shoqërisë.