“Falë reformës sime janë sot mbi 10 mijë familje të varfra që e morën ndihmën për herë të parë, ndërsa po patjetër më shumë se dyfishi i tyre që e merrnin padrejtësisht nuk e marrin më”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij më të re në “Facebook”, të cilën e paraqiti sot “Përgjigja ime”.
Kryeministri Rama kishte zgjedhur t’i përgjigjej komentuesit Genc Sejko, i cili e cilësonte atë përgjegjës për gjendjen e familjeve të varfra në vend.
“Përshëndetje Genc, nëse unë do të isha përgjegjës për gjendjen e tyre do të ishte shumë e thjeshtë, por fatkeqësisht kjo është ti biesh me sopatë fijes së logjikës më elementare, sepse së pari, nuk ka asnjë fakt, asnjë shifër, asnjë provë që të tregojë se në një fushë Shqipëria është më keq seç ishte 5 vjet më parë”.
“Përkundrazi ka njerëz si Hyseni dhe familja e tij apo edhe të tjerë në të tjera kategori të tjera sociale, që nuk janë më mirë se 5 vjet më parë, por janë njësoj, Kjo nuk ka diskutim. Ama aty ku sopata jote e këput fillin e logjikës është kur thua se këtë gjendje e solli sahati i dritës, jo i dashur, këtë gjendje e kishte krijuar mungesa e sahatit, mungesa e shtetit për të gjithë dhe e rregullave për të gjithë, sepse nuk është aspak e rastit që ka më pak varfëri aty ku ka më shumë rregull dhe ku ka shtet dhe të gjithë kontribuojnë sipas asaj që u takon, ndërsa ka më shumë varfëri ashtu si në Shqipërinë e deri djeshme s’bëhej asnjë përpjekje për të bërë shtet, “Secili për vete, Zoti për të gjithë”, dhe ti gënjen, pa dashje natyrisht, kur thua se unë u hoqa ndihmën sociale familjeve si të Hysenit, sepse në fakt krejt e kundërta është e vërtetë, plot familje si të Hysenit nuk e merrnin ndihmën fare. Ndërkohë që të tjerë me vila e makina e merrnin në vend të tyre”, nënvizon Rama.
Kryeministri Rama i drejtohet qytetarit se “ti thua lekët e kursyera unë ua shpërndava oligarkëve. Ej Genc, pak logjikë, shumë pak mik, sepse kjo është krejt qesharake dhe nuk mbështet në asnjë lloj filli arsyetimi dhe jo më në ndonjë fakt”.
“Sa për turpin, jo nuk më vjen turp të shkoj në shtëpinë e Hysenit, se i kisha dhënë fjalën. Ti thua është show, por për mua nuk ka pikë rëndësie çfarë thua ti, por çfarë mendon Hyseni, zonja dhe fëmijët e tij”, përfundoi Kryeministri. /atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/327636101139668/?t=0