Nëse ka histori të vërteta frymëzimi ky është rasti i Aurela Lacaj, vajzës vlonjate që në moshën 18 vjeç u arratis me skaf për një jetë më të mirë e pasi qëndroi plot 5 vite në kampin gjerman nisi jetën në Vankuver të Kanadasë. Pas 25 vitesh e shumë sakrificave në jetë, sot ajo është Aurela sharmante me një stil mjaft të rafinuar, e dhënë kokë e këmbë pas modës.
Nuk është se e njoh personalisht, por një ditë, ndërkohë që lundroja për të zbuluar ndonjë gjë të re nga bota e Instagramit më ra në sy një profil aurelafashionista, një vajzë imcake, mjaft koketë me një stil mjaft të sofistikuar, veshjet e së cilës varionin në tonalitet e ngjyrave pastel si e bardha, bezha dhe grija. Duke qenë se unë e preferoj shumë këtë lloj stil, kërkova më shumë. Çudia ishte që ajo ishte shqiptare! Jetonte në Kanada e kishte një stil të sajin, mjaft të kuruar. Dhe nuk ishte vajzë, por një 43 vjeçare dhe nëna e një djali, që sapo kishte përfunduar studimet e larta. Vendosa t’i shkruaj dhe komunikimi mes nesh nisi direkt. Aurela ishte e hapur, edhe pse kishte shumë kohë që nuk vinte në Shqipëri, pranoi të bënim një intervistë online. Fotot i realizoi me fotografin e saj në Vancouver, duke na sjellë një set plot dritë e stil.
Po përtej asaj që shihja nëpër fotografi, nuk e dija që Aurela ishte vajza që vinte nga një fshat i Vlorës, Kotë; që i kishte hipur skafit që në 1993 si shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë për një jetë më të mirë; që kishte lindur djalin në kampin gjerman ku kishte qëndruar për rreth 5 vjet; që pas kalvarit të Gjermanisë kishte nisur odiseja e Kanadasë dhe qëndrimi përgjithmonë në këtë shtet.
Kur ishte fëmijë ajo bënte një jetë të thjeshtë, por gjithmonë e dhënë pas modës. Të motrat i vishte me rrobat që sajonte duke “i detyruar” të bënin paradë në shtëpi. – “Ishte pak a shumë një lojë e jona, sepse në atë kohë nuk kishim lodra, bënim kukulla me rroba të vjetra duke modifikuar rrobat e gjyshes apo të mamit. Moda për mua ishte një pasion që asnjë nuk e dinte, përveç familjes time. Madje babi kishte probleme në shumë raste, sepse njerëzit merreshin me thashetheme kur vishesha dhe nuk donte që të më përgojonin”.
Nga pesë fëmijët duke qenë më e madhja ishte shpirti rebel në kërkim të eksperimentimit të gjërave. Ishte kundër sistemit të asaj kohe, sepse gjithçka i dukej pa ngjyra, e trishtë dhe e zymtë.
Ishte vetëm 18 vjeçe në vitin e fundit të gjimnazit kur e martuan me një emigrant në Gjermani dhe po në këtë vit u largua me skaf drejt Italisë për tu bashkuar më pas në Gjermani me të fejuarin. Me të mbërritur aty u regjistrua në një kamp, sepse ishte pa dokumenta të rregullta. Jeta në komunitet ishte shumë e veshtirë, duke marrë parasysh faktin që as gjuhën nuk e njihte. Por, qëllimi i saj i vetëm ishte të ndihmonte familjen në Shqipëri. Filloi të bënte punëra të ndryshme, në mënyrë që të mblidhte të ardhura, që nga larja e pjatave e deri tek pastrimi i tualeteve. Pas pesë vitesh si emigrantë në Europë, të dy arrijnë të shkojnë në Kanada për të qëndruar përgjithmonë e për të nisur një jetë krejt ndryshe. I dha fund martesës, duke bërë mamanë (beqare) single, edhe pse e dinte që do ishte e vështirë, ajo ishte e sigurtë. E kishte kaluar provën me veten, i duhej thjesht kohë të realizonte ëndrrat e saj. E nisi si kamariere, për të arritur që pas 11 vitesh të bënte një punë zyre në një shoqëri që merrej me tregun e inxhinierëve. Paralelisht me punën nisi dhe shkollën. E ndërkohë që rritej bashkë me të birin erdhi dhe periudha e largimit të tij nga e ëma.
Moda dhe e veshura me stil kishin qenë gjithmonë dëshirat e saj në sirtar. Hapja e blogut në 2015 erdhi menjëherë pas fillimit të shkollës së lartë të të birit.
“Blogun e hapa para 3 vitesh, në kohën kur djali nisi universitetin. Kur ai u largua doja diçka të hiqja vetminë dhe kështu nisi dhe ideja e hapjes së një ditari mode. Më kanë mbështetur të gjithë që nga djali, që ishte i pari që këmbënguli e deri tek i fejuari im që filloi të më bëntë fotot e para. Blogu është thjesht një impuls që më shërben të realizoj punën e ëndrrave të mia, duke punuar në sektorin e modës e më pas për ta shndërruar në një biznes të mirëfilltë”.
Aurela përpiqet të frymëzoj gra mbi moshën 30 vjeç e sipër, femra që gjthmonë janë të zëna e nuk kanë kohë për veten, mama e gra normale, që duan të ngjajnë sa më mirë duke mos u lodhur për kombinimet. – “Me blogun tim mundohem të ndihmojë femrat që në vizionin e tyre kanë nevojë për një busull dhe shpresoj që këto fansa të faqes sime të bëhen orientimi im për çdo gjë që ka lidhje me fashionin. Ndjekëset e mia janë femra që pëlqejnë stilin po si unë, që nuk duan të shpenzojnë shumë për t’u veshur e të ndihen gjithmonë në modë. Mundohem që të komunikojë përmes tyre edhe nëpërmjet komenteve duke qenë sa më bashkëvepruese”.
Në postimet e saj ajo tregon përditshmërinë që nga udhëtimet, përshtypjet mbi hotelet e deri tek ëndrra e saj për t’u bërë pjesë e industrisë së modës. Këtë periudhë është e angazhuar me dasmën, pasi në shtator do të vërë kurorë dhe kanë zgjedhur një vend mjaft romantik, si liqeni i Como-s. I fejuari i saj është kanadez, por ishte dëshira e të dyve që të bënin një ceremoni të vogël në një qytet evropian./albaniatoday