Loading...

Bulevardi “Ismail Qemali” në Vlorë, me pamje moderne

Në qytetin e Vlorës vazhdon puna për rikualifikimin e bulevardit “Ismail Qemali”, i cili do të ketë një pamje moderne, ku do të dominojë gjelbërimi dhe mjediset shlodhëse dhe argëtuese.

Punimet janë përqendruar në pjesën e parë, nga rrethrrotullimi pranë Lungomares deri në kryqëzimin me rrugën “Petrit Bisha”, ndërsa javën e ardhshme do të fillojë puna në segmentin nga kryqëzimi i “Cipajve” deri te shkolla industriale.

Segmenti ku do të punohet është rreth 300 metra. Gjatë punimeve kryqëzimi i “Cipajve” do të qëndrojë i hapur për të penguar sa më pak qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve.
Projekti për rikualifikimin urban të bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë filloi në pranverë të këtij viti.

Ai financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”.

Bulevardi “Ismail Qemali” shtrihet nga Vlora në Skelë. Historia e këtij bulevardi zë fill që në shekullin e XIX me një rrugë që lidhte qendrën e qytetin me bregdetin. Aty kalonte edhe një dekovil, që transportonte kripë nga kriporet e Vlorës deri në Port, por edhe udhëtarë, madje deri te tuneli në Ujin e Ftohtë në fillimet e shekullit të XX.

Pas çlirimit të Shqipërisë bulevardi Vlorë-Skelë u formatua me pasion nga i paepuri Kristo Papajani “Qytetar Nderi i Vlorës”, i cili e mbushi atë me portokalle, palma, lule të llojeve të ndryshme dhe statuja. U krijua edhe parku “Rinia” mbushur me palma, shatërvanë, statuja dhe pyll eukalipti.

Në vitin 1987 bulevardi Vlorë-Skelë u zgjerua përsëri nën drejtimin e Vasillaq Ndinit, ku u mbollën palma të tjera.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com