Policia Rrugore ka disa kërkesa për drejtuesit e automjeteve, në funksion të parandalimit të aksidenteve, duke nisur nga përdorimi i celularit e deri te konsumimi i cigares në makinë.
Kërkesa që kryesisht u drejtohen femrave shofere, që ditët e fundit janë përfshirë në aksidente me pasoja, madje 8 prej tyre janë proceduar penalisht pasi kanë rezultuar nën efektin e alkoolit. Drejtori i Policisë Rrugore, Mithat Tola, në daljen e radhës publike, ishte i drejtpërdrejtë me kërkesat e tij.
Madje, përmendi arsye specifike dhe detaje që duhen mbajtur parasysh nga femrat në timon. U kërkoi që të zgjedhin edhe këpucë të përshtatshme kur janë në drejtim të makinës, duke nënkuptuar që të shmangin takat.
Drejtori Tola renditi 7 shkaqe kryesore për aksidentet e ditëve të fundit, që kanë rezultuar pas analizës që i është bërë aksidentit të rëndë të ndodhur në afërsi të “Urës Kamzë”, mëngjesin e së mërkurës, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy persona të tjerë.
SHKAQET
Tejkalimi i normave të shpejtësisë së mjeteve brenda qendrave të banuara është një nga shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit të mjetit dhe premisë për t’u përfshirë në aksidente rrugore. Po kështu, përdorimi i aparateve celularë gjatë drejtimit të mjeteve është një nga shkaqet kryesore të tërheqjes së vëmendjes nga drejtimi i mjetit, që shpie pastaj humbjen e kontrollit të tij.
Qarkullimi i biçikletave duhet të bëhet në kujdesin më të madh. U kujtojmë drejtuesve të mjeteve, se drejtuesit e biçikletave dhe të çiklomotorëve nuk janë të mbrojtur nga kaska metalike, sikundër mjetet, mjafton një pakujdesi e dyanshme dhe pasojat mund të jenë të rënda. Kapërcimi i kryqëzimeve prej drejtuesve të biçikletave duhet të bëhet në kujdesin maksimal dhe në çdo rast edhe drejtuesit e biçikletave duhet të fillojnë të përdorin kaskat mbrojtëse të veçanta.
Këmbësorët brenda qendrave të banuara duhet të kryejnë kapërcimin e kryqëzimeve me kujdesin maksimal, atje ku janë vijat e kalimit të këmbësorëve, dhe jo të kryejnë kapërcime diagonal të kryqëzimeve, duke venë në rrezik jetën e tyre dhe të të tjerëve. Jashtë qendrave të banuara, këmbësoret duhet t’u japin përparësi drejtuesve të mjeteve dhe të kryejnë kapërcimin e karrexhatës vetëm kur të jenë të sigurt që kapërcimi i rrugës mund të bëhet pa rrezikuar jetën e tyre.
Policia Rrugore detyrohet të kujtojë se, gjatë drejtimit të mjeteve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, janë të ndaluara përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale, shkrepja e fotografive për t’i shkëmbyer në “Instagram” dhe në “Facebook”.
KESHILLA PER FEMRAT
Nisur nga analiza e aksidenteve të muajit korrik dhe muajit gusht në vijim, ka një numër të evidentuar drejtuese mjeti femra që janë përfshirë në aksidente rrugore më pasojë, ndërkohë që drejtori Mithat Tola theksoi edhe të dhënën tjetër, që vetëm javën e fundit janë 8 drejtuese mjeti të konstatuara në gjendje të dehur, për të cilat ka filluar ndjekja penale.
Policia kërkon që të rritet kujdesi nga kjo kategori gjatë drejtimit të mjetit, për të evituar shkeljet dhe për të parandaluar në maksimum aksidentet me pasojë jetën e tyre dhe të shtetasve të tjerë.
Drejtimi i mjeteve nga “kjo kategori drejtuesish”, me këpucë të përshtatshme, mospërdorimi mundësisht edhe i duhanit gjatë drejtimit të mjeteve, mosmbajtja e kafshëve shtëpiake në kabinat e autoveturave të tyre pa i siguruar, do të lehtësonte manovrueshmërinë më të mirë gjatë drejtimit të mjeteve dhe do të evitonte përfshirjen në aksidente.
SHKAQET
Tejkalimi i normave të shpejtësisë së mjeteve brenda qendrave të banuara;
Përdorimi i aparateve celulare gjatë drejtimit të mjeteve është një nga shkaqet kryesore të tërheqjes së vëmendjes nga drejtimi i mjetit, që shpie pastaj në humbjen e kontrollit të tij;
Qarkullimi i biçikletave në mënyrë të pakujdesshme. Kapërcimi i kryqëzimeve prej drejtuesve të biçikletave duhet të bëhet në kujdesin maksimal dhe në çdo rast edhe drejtuesit e biçikletave duhet të fillojnë të përdorin kaskat mbrojtëse të veçanta;
Këmbësorët brenda qendrave të banuara duhet të kryejnë kapërcimin e kryqëzimeve me kujdesin maksimal atje ku janë vijat e kalimit të këmbësorëve dhe jo të kryejnë kapërcime diagonal të kryqëzimeve, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të të tjerëve;
Jashtë qendrave të banuara, këmbësorët duhet t’u japin përparësi drejtuesve të mjeteve dhe të kryejnë kapërcimin e karrexhatës vetëm kur të jenë të sigurt që kapërcimi i rrugës mund të bëhet pa rrezikuar jetën e tyre;
Gjatë drejtimit të mjeteve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, janë të ndaluara: përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale, shkrepja e fotografive për t’i shkëmbyer në “Instagram” dhe në “Facebook”;
Drejtimi i mjeteve nga femrat duhet të bëhet me këpucë të përshtatshme, mospërdorimi mundësisht edhe i duhanit gjatë drejtimit të mjeteve, mosmbajtja e kafshëve shtëpiake në kabinat e autoveturave të tyre pa i siguruar, do të lehtësonte manovrueshmërinë më të mirë gjatë drejtimit të mjeteve dhe do të evitonte përfshirjen në aksidente.