Dje paraqita kallëzim penal në Prokurori.
Për pronarin e një agjencie turistike që më kërcënoi me jetë.
Enver Mehmeti pas një shkrimi në dritare.net për ferrin e pushimeve , prenotuar te agjencia tij, më bëri të qartë fundin që më priste.
Dhe ai e bën. Ndaj e denoncova.
E denoncova se e besova. Ai nuk është anonimi i zakonshëm që kërcënon në emër të partisë.
Ai kërcënon dhe e mban fjalën, në emër të parasë.
I ka paratë të çojë e mbrojë një njeri, që më shtyp në vijat e bardha.
Gazetarët nuk i vrasin më në luftë. Është paraja, nuhatja që i çon te paraja, që ju merr jetën.
Unë jam gazetare e një jete, 20 vite prej të cilave, dy muaj, çdo vit ia kam kushtuar turizmit.
E kam bere, apo jo?
Ma thuaj tani, jo ne përcjellje!
Nuk kam bërë kurrë gazetarinë e dekoltesë ose portofolit, kam bërë e bëj gazetarinë e zemrës.
Kam bërë emisione në kasolle që u bënë hotele, në hotele që u bënë resorte, ne jugun, që po bëhet Amalfi ynë, Parga jonë, në veriun që u bë Zvicra jonë, sepse e dua këtë vend dhe ia shoh të ardhmen që do i vijë, një ditë, prej turizmit.
Dhe nëse ky njeri që më kërcënon, e di, por nuk do t’ia dije, atëherë e paskam prekur tek ajo çfare mund të fshehë, ose ai pas të cilit mund të fshihet.
Nuk i besoj përrallave me biznesmenë që nxehen e nxihen se media i përlyen.
Hyr në tripadvisor, shiko gjithë komentet negative për një hotel dhe përgjigjet që jep administratori apo menaxheri. I përgjigjen çdo klienti.
Ky që të dënon me vdekje, pse ankohesh, nuk është njëri prej tyre. Kush nuk sqaron, por kërcënon diçka po fsheh.
E dini ku shkojnë paratë e shqiptarëve për turizmin? E dini ku shkojnë më shumë shqiptarët me pushime?
Nuk janë në tokën tonë, as në detet tona, janë ne avionët që vijnë e kthehen nga Turqia.
E dini si është qielli në orën 3 te mëngjesit, plot me njerëz që ikin e vijnë nga Tirana e Antalia, me avionë që i ruan zoti. ( Temë për të investiguar kjo.
Se sot agjencitë mund të të paguajnë t’ju mbrosh imazhin, po nesër mund të jesh ti në një avion që bie, e të vdesësh me klering).
Ata që shkojnë Turqi, s’ka dyshim që kënaqen, japin kursimet e një jete, nuk paguhen të shkojnë.
Por nëse njëri prej tyre guxon ankohet në media , për pak më shume dinjitet, ja çfarë e pret!
Kur më dënojnë mua me vdekje, atë e vrasin pa gjurmë.
Kjo sepse nuk flasim.
” E kujt i bëhet vonë për mua, ndaj unë s’po flas. Mos fol se të ikën koka. ”
Po ç’e dua kokën unë, kur më duhet vetëm ta mbaj ulur?!
Dje dorëzova një kallëzim penal për kërcënim jete.
Sepse dua mbrojtje prej një njeriu që me paratë e mia dhe të tuat, ka bërë paratë të më mbysë fjalën dhe shuajë mua.
Sot është radha ime, të kërkoj çfarë i trimëron enverët, dhe do të flas e bërtas që kur të të ndodhë ty, të thuash , “edhe mua”, jo të tërhiqesh si qytetar i dorës së dytë, se ai ka lekë e të bën gjëmën, ti je një mizë a një flutur qe s’bën dot dëm.
Dije, që siç ia jep ti lekët, ti ia dhuron edhe pushtetin, me heshtjen tënde.
Dije, një flutur e sjell ortekun. Ndaj e kallëzova penalisht biznesmenin që më kërcënoi me jetë./ Nga Rudina Xhunga – dritare. net/