Dita e sotme ka qenë “e keqe” për sa i përket rrugëve, ku aksidentet, por edhe viktimat kanë qenë të konsiderueshme. Me aksidentin e mbrëmjes së sotme në Shkodër, ka shkuar në 4 numri i të vdekurve në rrugë.
Dy aksidente fatale ndodhën në Bulqizë dhe Peshkopi. Në aksin rrugor Batër – Bulqizë në zonën e Martaneshit doli nga rruga një automjet dhe për pasojë humbi jetën 60-vjeçari, Asllan Lami dhe mbeti i plagosur pasagjeri që udhëtonte me të, i cili u transportua me helikopter në drejtim të spitalit të Traumës në Tiranë.
Aksidenti i dytë fatal ndodhi në aksin rrugor Shupenzë – Peshkopi, pranë fshatit Vojnik, aty ku J. K., duke drejtuar automjetin tip furgon ka përplasur këmbësorin I. B., rreth 70 vjeç i cili ka humbur jetën.
Ndërsa pranë fshatit Grezhdan, Maqellarë, E. P., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka përplasur këmbësorin shtetasin A .I, i cili u transportua për ndihmë mjekësore në spital në gjendje të rëndë.
Më herët, në mesditë një aksident fatal ndodhi në Kavajë, ku një 20-vjeçar humbi kontrollin e motorit dhe për pasojë u përplas me bordurat anësore të rrugës. Donald Agolli humbi jetën në vend, ndërsa e plagosur rëndë mbeti vajza që udhëtonte me të. Mësohet se ajo ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.
Ndërsa në orët e vona të mbrëmjes, një aksident me pasojë vdekjen ndodhi në Shkodër ku humbi jetën një këmbësor i cili u përplas nga një makinë teksa po kalonte rrugën. Dyshohet se viktima, këmbësor, i ka prerë rrugën një mjeti i cili e ka përplasur për vdekje. Këmbësori është përplasur nga një mjet tip “Benz” me targa SH 6616 D. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Shtoji. Policia ka nisur me hetimet në vendin e ngjarjes.