Loading...

Policia Rrugore, masa shtesë për menaxhimin e trafikut në sezonin e verës

Në kuadër të masave të marra nga ana e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror 2018, Drejtoria e Policisë Rrugore ka një mobilizim maksimal, për shkak të rritjes së ndjeshme të qarkullimit rrugor.  Synimi është të ketë sa më pak shkelje të Kodit Rrugor, për pasojë më pak aksidente dhe më shumë siguri në rrugë.

Në të gjitha Drejtoritë e Qarqeve dhe veçanërisht në zonat bregdetare, Policia Rrugore është duke kryer shërbime me orë të shtuara, me qëllim përballimin e fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë sezonit veror.

Krahas këtyre masave, Policia Rrugore po vijon me fushata sensibilizuese për të ndërgjegjësuar drejtuesit e automjeteve, për respektim të rregullave të Kodit Rrugor.

Si rezultat i angazhimit dhe mbulimit më të mirë të akseve rrugore por edhe akseve dytësore, si dhe falë masave ndërgjegjësuese gjatë muajit të fundit Korrik 2018 janë parandaluar ndjeshëm aksidentet.  Janë shpëtuar 9 jetë njerëzore më shumë, se e njëjta periudhë e 1 viti më parë, në aksidente rrugore.  Ndërkohë ka patur 33 plagosje të rënda më pak se e njëjta periudhë.

Gjatë javës së fundit, Policia Rrugore ka arrestuar 85 drejtues automjetesh për drejtim në gjendje të dehur dhe 151 drejtues mjetesh janë arrestuar për mungesën e lejes së drejtimit.

Ndërkohë, janë gjobitur rreth 490 mijë drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, si tejkalim shpejtësie, parakalim i gabuar, mospërdorim i rripit të sigurimit, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit etj.

Gjithashtu Policia Rrugore ka rritur forcën ndëshkuese ndaj atyre që tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore për t’ju shmangur masës administrative për shkeljen e kryer dhe të konstatuar.

Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve që gjatë fundjavës, ku fluksi i lëvizjes është shumë herë më i shtuar në disa akse rrugore, kryesisht ato që të çojnë drejt zonave bregdetare të tregojnë kujdes, të respektojnë shpejtësinë, të përdorin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimt të automjetit, të respektojnë semaforët, ndërsa drejtuesit e motomjeteve të përdorin kaskën mbrojtëse.

Policia Rrugore si çdo fundjavë do vijojë me kontrolle të shtuara, e kjo jo për të rritur sasinë e gjobave, por për të rritur parametrat e sigurisë në rrugë.

Njëkohësisht apelojmë këmbësorët të respektojë me korrektësi rregullat e qarkullimit: të kalojnë në vijat e baradha dhe mbikalimet. Nga vëzhgimet në akset rrugore rezulton se shumë këmbësorë nuk respektojnë rregullat e qarkullimit duke u kthyer në burim aksidenti.

Policia Rrugore fton qytetarët dhe mediat që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të saj, si dhe të denoncojnë çdo shkelje të Kodit Rrugor duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com