Loading...

Rruga e Vermoshit drejt kufirit me Malin e Zi, nis rindërtimin në shtator

Rindërtimi i rrugës së Vermoshit në veri të vendit drejt kufirit me Malin e Zi, do të nisë zbatimin në vjeshtë të këtij viti.

Ky projekt është një vepër tjetër në programin e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës së vendit nga jugu e deri në veri të vendit, sipas standardeve më të mira europiane.

Rruga e Vermoshit drejt kufirit me Malin e Zi do të rindërtohet në të gjithë gjatësinë e tij 750 metra. Punimet parashikojnë ndërtimin e mbrojtjes lumore nëpërmjet gabioneve si dhe vendosjen e sinjalistikës së nevojshme përgjatë aksit rrugor nga Vermoshi deri në kufi.

Ky projekt synon të nxisë lëvizjen në itinerarin Shkodër-Tamarë-Vermosh drejt Malit të Zi si dhe anasjelltas. Investimi është pjesë e programit “Punët në Komunitet IV: “Zhvillimi i Alpeve dhe Zonave Bregdetare” që bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës (CEB).

Ndërkohë projekti për rikualifikimin urban të fshatit turistik të Tamarës në Malësinë e Madhe, parashikon të bëjë rehabilitimin e ndërtesave ekzistuese pranë qendrës së fshatit duke ruajtur karakteristikat arkitekturore. Po ashtu, sa i takon rikonstruksionit të çative, edhe ai do të bëhet sipas stilit tradicional.

Zbatues i këtij investimi të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i afirmuar tashmë në realizimin me sukses të projekteve për rikualifikimin urban pothuajse në të gjithë bashkitë e Shqipërisë./atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com