Loading...

Lehtësohen procedurat për marrjen e lejeve të drejtimit të automjeteve

DPSHTRR shton sportelet në shërbim të qytetarëve për marrjen e patentave

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), ka lehtësuar procedurat e aplikimit për pajisjen me leje të drejtimit të automjeteve për qytetarët (patenta).

DPSHTRR bën të ditur se ka shtuar numrin e sporteleve dhe standardet që duhet të plotësojnë këto sportele për t’iu përgjigjur shërbimit ndaj qytetarëve në marrjen e lejeve të drejtimit në kohë dhe brenda afateve. Investimi dhe rehabilitimi i zyrave të DPSHTRR në rrethet kryesore të vendit, aktualisht ka përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve për patenta, veçanërisht tani kur ka dhe një fluks të shtuar të emigrantëve që vijnë për sezonin veror, si dhe ka reduktuar kohën e shërbimit në rreth 20 minuta dhe dyfishimin e numrit të shërbimeve ditore ndaj qytetarëve.

Aktualisht ajo që vihet re është fakti që, numri i ankesave është zvogëluar dhe qytetarët shprehen të kënaqur për shërbimin në sportele.

Përmirësohen kriteret e aplikimit

Ndryshimi i pyetësorit për testimin me shkrim të qytetarëve që duan të pajisen me leje drejtimi, është përmirësuar ndjeshëm. DPSHTRR bën të ditur se ky pyetësor është përshtatur në harmonizim me direktivat e Bashkimit Europian, për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit të tipi A1 A2, B dhe B1.

Ndryshimet qëndrojnë në hartimin e pyetjeve më të kuptueshme për kandidatët dhe më të lehta për t’u plotësuar teknikisht. Pra pyetësori ka qenë me 40 pyetje pra 1 pyetje e drejtpërdrejtë me 3 nënpyetje, ndërsa sot është me 40 pyetje të drejtpërdrejta, çka i jep mundësinë çdo kandidati, pavarësisht nivelit arsimor që ka, ta kuptojë pyetjen. Pyetësori plotësohet në mënyrë të dixhitalizuar në kompjuter.

Ndërkohë DPSHTRR ka forcuar kriteret e konkurrimit, duke kërkuar që kandidatët duhet të ndjekin orët e përcaktuara të mësimit për lejet e drejtimit.

Ajo që vlen të përmendet krahasur me vitet e kaluara, është fakti që është rritur me 10% kalueshmëria e kandidatëve, çka i atribuohet thjeshtimit të pyetësorit, i cili është bërë më i kuptueshëm, bën të ditur DPSHTRR. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com