Loading...

Ermonela Jaho interpreton “Suor Angelica”, mahnit Mynihun

Ermonela Jaho sjell një interpretim të jashtëzakonshëm në rolin e Anxhelikës, duke përcjellë një brishtësi të thellë përmes një toni plot dritë dhe më pas vërtetë shpërthyes, kur personazhi arrin pikën psikologjike të thyerjes.

Kështu e nis kritika gjermane përshkrimin e interpretimit të sopranos shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, duke iu referuar rolit të saj “Suor Angelica” (“Motër Anxhelika”) në operën me të njëjtin titull, vënë së fundmi në skenën e Mynihut.

Ermonela Jaho sjell një performancë të jashtëzakonshme si Motër Anxhelika, duke përcjellë emocione të jashtëzakonshme përmes timbrit të zërit dhe zbërthimit psikologjik që i bën personazhit të saj.

Motër Anxhelika kapet pas një vizioni qiellor: Pasi ka humbur prej dy vitesh djalin e saj të vetëm, ajo vendos të bëjë jetën e murgeshës si një shpagim, teksa beson se e dëgjon djalin e saj duke e thirrur që të takohen në parajsë.

Në tentativë për të kryer vetëvrasje, Motër Anxhelika pi helm, por shpejt kupton se ka kryer një mëkat të vdekshëm dhe mallkon veten për ndarjen e përjetshme nga i biri. Ky subjekt i operës së famshme, shkruar nga Giacomo Pucini, u vu për herë të parë në skenë në vitin 1918, por vijon të pëlqehet në mbarë botën edhe pas një shekulli.

Pas suksesit në “Bayerische Staatsoper Munchen”, 26 korriku do ta gjejë Ermonela Jahon sërisht krah Placido Domingos, në Operën e Madridit me një tjetër premierë. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com