Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se gara për përzgjedhjen e kompanive që do të ndërtojnë bypass-et e Fierit dhe Vlorës do të çelet në muajin gusht, ndërsa pritet që punimet të nisin në muajin shtator.
Duke i cilësuar si dy plagë të mëdha të trashëguara bypass-in e Fierit dhe të Vlorës, por edhe bypass-t e premtuara të Tiranës e Milotit, kryeministri Rama tha se kemi përpara syve tanë një pasqyrë dramatike të mungesës së plotë të përgjegjshmërisë në hartimin e projekteve, kontratave e në monitorimin e procesit të punës.
“U detyruam t’i anullojmë kontratat abuzive të lidhura dhe të rishikojmë projektet krejtësisht pa logjikë të bëra dhe në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim rimodeluam skemën e financimit të tyre”, informoi kryeministri.
Ai shprehu besimin se brenda shtatorit, por në rastin më të keq për shkak të procedurave, pasi mund të ketë ankimime dhe reklamime, në tetor nis puna për të mos u ndalur më.
Sipas kreut të qeveris, bypass-i i Fierit do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik, ndërsa ai i Vlorës do të marrë pak më tepër kohë për shkak se është një vepër më komplekse.
Kryeministri informoi se po ashtu ka nisur puna për ndërtimin e bypass-it të Milotit që është një nyje e rëndësishme strategjike edhe në funksion të lëvizshmërisë në rrugën e Kombit, por edhe në funksion të lidhjes së re që ne do të bëjmë me fillimin e punës për rrugën e e re Milot-Balldren./atsh