Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës Damian Gjiknuri, njoftoi sot se në Himarë, në Jug të vendit, do të hapet dy zyra të reja, ajo e Hipotekës dhe e Shërbimit të Automjeteve, të cilat do t’i vijnë në ndihmë banorëve të zonës për të kryer të gjitha procedurat dhe shërbimet përkatësisht për pronësinë apo targa dhe patentat, kur deri dje i kryenin në zyrat e qyteteve të Vlorës apo Sarandës.
Gjatë takimit me banorët e Himarës, ministri njoftoi se për shtëpitë e vjetra në breg qeveria ka vënë në rrugën e zgjidhjes problemin e tarifës së lartë, që ishte 4 milionë lekë, duke e reduktuar atë në një tarifë simbolike. “Nëpërmjet akteve nënligjore edhe ky proces do të vihet në rrugën e zgjidhjes”, – tha Gjiknuri.
Duke u ndalur në investimet që po ndërmerr qeveria, ministri theksoi se shumë shpejt brenda një muaji do të fillojë investimi i mbetur për shtrimin e linjës 20 KW dhe futja në punë e nënstacionit të ri energjetik, duke garantuar furnizim normalisht me energji për të gjithë zonën e Hmarës, për 10-15 vitet e ardhshme.
Shumë shpejt do të fillojë investimi me vlerën 42 milionë euro për impiantin e trajtimit të ujrave të ndotur, që të mos kalojnë më në det, ndërsa investime të rëndësishme do të pasojnë në infrastrukturë me mbylljen e procedurave të prokurimit për rrugën e Lumit të Vlorës dhe vijimin e punimeve për realizimin me sukses edhe të kësaj rruge”, – tha ai.
Gjiknuri u ndal në problemin e pronësisë dhe menaxhimin e tokës që shqetësojnë këtë zonë.
Qeveria, tha ai, ka marrë masa duke ngritur edhe Taskë-Forcën, me qëllim që prona e pronarëve të mos cënohet. /atsh