Me investimet në infrastrukturë dhe projektet konkrete për mbështetjen e agroturizmit, qeveria po u jep fshatrave të Jugut zhvillimin e munguar prej vitesh.
Në vijim të turit të llogaridhënies publike, Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Himarë, ku zhvilloi një takim me banorët e zonës.
Kryeministri theksoi se “ne po i rikthejmë fshatrave të Jugut imazhin e bukur që kanë pasur, kur stërgjyshërit tanë i konceptuan, duke i dhënë mundësi të gjithë familjeve të investojnë”.
Himara, tha Rama, ka edhe pjesën e brendshme të territorit që lidhet me zonën rurale, një aset ekonomik i pashfrytëzuar.
Rruga e Lumit të Vlorës, që do të vazhdojë me segmentin tjetër, sipas Kryeministrit, është një arterie shumë e rëndësishme zhvillimi për pjesën e brendshme të territorit.
Kjo rrugë, tha Rama, i jep mundësi zhvillimi pjesës së ndërmjetme mes Himarës dhe Tepelenës, si dhe krijon një shtytje të fortë për zhvillimin e agroturizmit.
“Ata që janë pranë Bregut janë të destinuar të jetojnë me turizmin bregdetar intensiv, por për të tjerët që janë më thellë, sot është shumë e vështirë për të dalë në treg për shkak të kostove të larta”, – tha Rama.
Agroturizmi, sipas tij, është përgjigjja. “Ngritja e bujtinave dhe hoteleve të vogla rurale me fermën pranë është absolutisht një rrugë e sigurt për të dalë nga varfëria dhe izolimi. Nuk është më fjala si të prodhojmë e dalim në treg me rrugë të gjata, por të krijojmë kushtet që këtë rrugë ta përshkruajnë vetë turistët”, – tha Rama.
Provat e suksesit të agroturizmit, vijoi Kryeministri, janë në Europë por edhe në Shqipëri, ku kemi struktura mikpritje në zona të thella që bëjmë sukses, ekonomi dhe fitojnë të ardhura.
Kryeministri theksoi po ashtu se me agroturizmin i krijojmë emigrantëve një rrugë të re investimi. “Ata që kanë shtëpitë në fshat, kursimet e tyre mund t’i investojnë për t’i transformuar shtëpitë në struktura mikpritje dhe të ardhurat vjetore do të jenë shumë të larta”, – siguroi Rama.
Ai shprehu besimin te ky projekt dhe garantoi se “do të bëjmë çmos ta mbështesim këtë sektor”.
“Qeveria do të financojë direkt me para në dorë. Ne kemi bashkëpunimin financiar me të gjithë ata që janë të interesuar për të ngritur struktura më të mëdha për agroturizëm. Nuk është vetëm buxheti ynë, por edhe ai i krijuar nga fondi i mbështetjes së BE-së. Janë 11 milionë euro në dispozicion për tu investuar për projekte individuale familjare apo në grup”, – tha Rama.
Po ashtu, ai informoi se për agroturizmin është ngritur edhe një program për informimin dhe asistimin e atyre që janë të interesuar të fitojnë përmes aplikimeve./atsh