Ditën e djeshme “Hashtag.al” shkroi se nipi i Vjollca Hoxhës organizoi protestën kundër gjyqtarit të dosjes ‘Top Channel’, Shkëlzen Selimit. Selimi është gjyqtar i Gjykatës së Lartë, i cili po shqyrton në Dhomën e Këshillimit dosjen për pronësinë e Top Channel.
Si të mos mjaftonte paraqitja e një tufe njerëzish me pankarta si shoqëri civile, që kërkonin shkarkimin e menjëhershëm të gjyqtarit, një vëzhgim i imtësishëm i pamjeve filmike zbuloi se organizator dhe nxitës i protestës ka qenë zoti Ervin Zeneli.
Nga një vëzhgim edhe më i imtësishëm i pamjeve filmike të kronikës që vetë Top Channel ka servirur për publikun, rezulton se mashtrimi është edhe më i madh.
Siç e tregojnë edhe fotot, Top Channel ka përdorur si “qytetarë protestues” që kërkojnë shkarkimin e gjyqtarit Selimi, pikërisht publikun pjesëmarrës në emisionet që organizon vetë.
“Hashtag.al” ka gjetur të paktën 3 raste ku protestuesin e bëjnë figurantët e emisioneve.
Këta qytetarë luajnë rolin e figurantëve në emisionet e Top Channel siç është “Top Show” apo emisione kuicesh, duke u paguar në shifrat e 5 mijë deri në 10 mijë lekë të vjetra për çdo qëndrim në sfondin e imazhit që kamerat kapin për personazhet e ftuar.
Organizimi i protestës dhe transmetimi i saj dje shfaq 2 probleme kryesore.
I pari, shantazhi kriminal ndaj një gjykatësi, Top Channel është në gjyq për kuotat e pronësisë, gjyq që do ta gjykojë pikërisht ky gjykatës.
Është njësoj sikur dikush të ishte në gjyq i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe me armën për të cilën po akuzohej të shantazhonte dhe të kërcënonte gjykatësin.
Problemi i dytë është sharlatanizmi dhe mendjelehtësia e Ben Blushit.
Gafa e djeshme nuk ishte thjesht amatore, diletante por ishte autogol i pafalshëm sepse një aksion i përgatitur me kujdes me protestë dhe me kronikë për të diskretituar një gjykatës u kthye në autogol për Top Channel-in, duke u kthyer kështu në një aksion që diskretiton drejtpërdrejtë këtë televizion.
Edhe armiku më i egër i këtij televizioni nuk do të kishte mundur dot të realizonte këtë dështim kaq spektakolar.
Por me sa duket nuk ka nevojë fare për armiq, të gjitha meritat i shkojnë Ben Blushit. Urime Beni, askush nuk dështon dot kaq bukur sa ty!/Pamfleti