Investimet në fushën e turizmit dhe infrastrukturës po rriten gjithnjë e më tepër, ku së shpejti do të fillojë faza tjetër e investimeve për “lungomaren” në qytetin e Vlorës.
Ishte kryeministri Edi Rama i cili gjatë hapjes së sezonit turistik në këtë qytet theksoi se faza tjetër e punimeve për Lungomaren do të fillojë së shpejti me pjesën jugore të aksit.
“Shumë shpejt do të nis faza tjetër e punimeve te “Lungo Mare”, që është pjesa jugore e aksit, ku duhet punuar dhe duhen pastruar të gjithë hapësirat që janë problematike për t’u transformuar dhe për ta kthyer edhe atë pjesë në një zonë normale qarkullimi”, theksoi Kryeministri.
Rama tha se dhe pjesa e qarkullimit rrugor tashmë është zgjidhur.
“Lajmi i mirë është që pas gjithë konvulsioneve të padurimit, s’ka më ankesa për këto bllokimet e tjera, veçanërisht të bulevardit, pasi tashmë është fituar plotësisht dhe besimi i qytetarëve, që tashmë e kanë kuptuar dhe e dinë, që nëse ndodh një bllokim i përkohshëm i situatës, ndodh për arsye legjitime”, shtoi Rama.
“Më tutje do të vijojnë projektet e tjera që vijnë hap pas hapi, që nga transformimi i aksit që kalon nga fundi i “Lungomares” drejt Radhimës, Orikumit, pastaj rruga e re Orikum-Llogara, bashkë me projektin e tunelit të Llogarasë, që është një domosdoshmëri strategjike për të promovuar edhe më tej promovimin e bregdetit të Jalës, Dhërmiut, që tashmë janë transformuar totalisht. Nga ana tjetër, po në muajt në vijim do të nis puna për të fuqizuar zonën ku kalon lumi i Vlorës dhe ku do forcohet hap pas hapi agroturizmi”, përfundoi Rama.ATSH