Bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, Linda Rama ka qenë pjesë e programit të Tv Klan “Në kurthin e Piter Pan”, ku së bashku me fëmijët ka kënduar disa nga ninullat të cilat ja këndon më të voglit të shtëpisë, Zahos.
Gjatë intervistës së saj me “Piter Panët” e vegjël, bashkëshortja e Kryeministrit, Linda Rama është përballur me disa pyetje sa “pikante”, aq dhe të sinqerta, ashtu siç vetëm fëmijët dinë t’i formulojnë.
Pyetjet e fëmijëve ishin të ndryshme por në qendër të tyre kishin edhe kreun e qeverisën Edi Ramën, ku fëmijët ishin kureshtarë të njihnin tipin e vërtetë të Kryeministrit.
E pyetur nga fëmijët nëse kryeministri i vendit është nevrik në shtëpi, pasi sipas tyre në televizor shfaqet pak nevrik, Linda Rama u shpreh se ai është i vërtetë në çdo çast të tij.
Fëmijët: Edi Rama në televizor është pak nevrik, po në shtëpi si është?
Linda Rama: Edi nuk është nevrik, është i vërtetë.
Është i vërtetë edhe kur qesh, është i vërtetë edhe kur gëzon, është i vërtetë edhe kur flet atje në Parlament, është i vërtet edhe kur këndon, edhe kur i bie dajres.
Fëmijët: Ju, a i bini pianos, se më dukeni si mësuese pianoje?
Linda Rama: Kam pasur një ëndërr të hershme fëmijërie që të luaja piano, edhe ndonjëherë kam marrë tek-tuk edhe ndonjë mësim si të luaj në piano.
Mirëpo ka mbetur akoma ëndërr që më shoqëron dhe ndonjëherë ulem në piano, atëherë kur dua ta zgjoj ëndrrën që të mos më ikë ëndrra dhe më bie në gjumë, dhe kështu kam edhe atë fëmijën brenda vetes që e mbaj me vete dhe është shumë mirë që të keni ndonjë ëndërr që nuk e realizojmë, pasi na mban ëndrra me vete dhe kemi edhe fëmijën me vete.
“Në kurthin e Piter Pan” Linda Rama nuk i “shpëtoi” pyetjes edhe për djalin më të vogël të saj, Zaho si dhe emocionet që ajo ka përjetuar gjatë ardhjes së tij në jetë.
Momenti më i bukur gjatë spektaklit ishte momenti kur Linda Rama këndoi një nga ninullat, të cilat ja këndon më të voglit të shtëpisë, djalit të saj, Zaho.
E ftuar në këtë mbrëmje finale të “Në kurthin e Piter Pan”, ajo tregoi se si është të jesh gruaja e Kryeministrit të Shqipërisë, por edhe se çfarë do të bënte ajo nëse do të ishte në një pozicion të tillë.
Fëmijët: Po të bëheshe ti kryeministre, çfarë do të bëje për popullin?
Linda Rama: Nuk do bëja sa bën Edi. Por po fantazoj si Piterpansat. Për një minutë mund të mendoni se do t’i jepja një vëmendje të madhe fëmijëve, që kur lindin, deri në moshën 10 vjeç.
Do të modernizoja sistemin e edukimit në kopshte dhe shkolla, sepse unë mendoj se fëmijët janë e vetmja Europë që kemi.
Fëmijët:Kur lindi Zaho, si u ndjeve, kishe emocione? Se mami im kur më pa mua qau…
Linda Rama:Të gjitha mamatë qajnë, kanë një lot që i rrjedh në momentin që lindin fëmijën, sepse fëmija është bekim. Është bekim dhe këtë e dinë të gjitha mamatë që kanë sjellë një fëmijë në jetë. I vetmi moment dhe e vetmja gjë që është e mrekullueshme është fëmija. /e.caushi/ATSH