Ndonëse Tirana është një pikë ujë në oqean nëse krahasohet me metropolet e mëdha të botës, sërish mban rekord për gjobitjen e shoferëve.
Me një përllogaritje nga Policia Rrugore në Tiranë çdo ditë qarkullojnë rreth 200 mijë makina, përfshirë edhe rezidentët.
Sipas një kronike të “TCH” çdo ditë në kryeqytet vendosen 500 deri në 600 gjoba për shkelje të Kodit Rrugor. Shkelja më e shpeshtë e shoferëve është ajo e qëndrimit të gabuar, për të cilën çdo ditë gjobiten nga 150 deri në 170 qytetarë.
Parkimi i gabuar sapo i kushtoi Arges Merjes gjobën e gjashtë.
Ai thotë:
Jam gjobitur gjashtë herë për parkim e qëndrim të gabuar. Sapo u gjobita për parkim prapë. Isha në spital dhe nuk kishte vend.”
Por cila është shkelja më e shpeshtë që kryejnë shoferët dhe për çfarë gjobiten ata.
Ilir Budlla, specialist trafiku ka thënë për TopChannel:
Për tejkalim shpejtësie, parkim apo qëndrim të gabuar, për përdorim telefoni dhe alkooli kryesisht.”
Siç tregojnë të dhënat zyrtare për vitin e kaluar 103 mijë qytetarë u gjobitën për parkim të gabuar duke dërguar në arkat e shtetit një shumë prej 117 milionë lekë.
Në vend të dytë për shkelje janë shoferët që përdorin telefonin gjatë drejtimit të mjetit. Për këtë shkelje janë gjobitur 70.236 qytetarë, që i kanë dhënë shtetit 75 milionë leke dhe në vend të tretë për parakalim të gabuar, ju është prerë fleta e gjobës 70 mijë e 217 shoferëve, që ka nxjerrë nga xhepat e tyre në total më shumë se 83 milionë lekë.
Nuk ngelen pas edhe shkelja e mbishpejtësisë dhe mosrespektimi i semaforit. Në disa raste, qytetarët gjobiten edhe me pa të drejtë dhe ka nga ata që e çojnë çështjen në gjykatë.
Juristja e Policisë së Tiranës, Entela Selmanaj tha:
Ata justifikohen në gjykatë, disa thonë nuk e kam kryer shkeljen, disa më ka inat policia, por ajo që vë re unë është se nuk ka më padi sa në 2014, ka më pak. Ka nga ata që vijnë në gjykatë dhe thonë më kthe patentën se humbas vendin e punës.”
Por, përveç këtyre masave administrative, më e prekshmja është ajo e arrestimit të shoferëve që mbanin timonin në gjendje të dehur. Vitin e kaluar u arrestuan 1003 shoferë të dehur, të cilët testi antialkool i ka futur në telashe dhe ju rrezikoi, përveç patentës, edhe lirinë.
1500 qytetarë të tjerë u arrestuan në timon si të papajisur me leje drejtimi.