Bota është e mbushur me artistë të njohur dhe të famshëm nga Shqipëria ose me rrënjë shqiptare, shkruan për “CultureTrip”, Francesca Masotti, transmeton KultPlus.
Zbuloni disa prej artistëve, piktorëve dhe këngëtarëve shqiptarë më të famshëm, punët e të cilëve njihen në të gjithë botën:
Onufri
Onufri është piktori i ikonave më i famshëm nga Shqipëria. Ai ishte aktiv në shekullin XVI në jug të Shqipërisë, në perëndim të Maqedonisë dhe veri të Greqisë. Mendohet se Onufri ka lindur në Berat, një qytet i bukur që ndodhet në jug të Shqipërisë.
Sot, Berati ka një muze shumë interesant të Onufrit, ku vizitorët mund të mësojnë për artistin dhe të admirojnë pikturat e tij. Vepra të tjera arti të Onufrit mund të gjenden në Muzeun Mesjetar në Korçë dhe në shumë kisha përmes vendit.
Kolë Idromeno
Nikolla Kolë Idromeno, i njohur si Kolë Idromeno, ishte një piktor, artist, skulptor, kinematograf, fotograf dhe arktiekt shqiptar gjatë epokës së Rilindjes në Shqipëri (periudha historike nga viti 1870 deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912). Idromeno kishte lindur në Shkodër, qyteti më i madh në veri të Shqipërisë. Ai kishte bërë studimet në Venecia në Akademinë e Arteve të Bukura, udhëtoi nëpër Europë dhe më pas u kthye në Shkodër, ku zbukuroi tavanin e Katedrales së Shën Stefanit. Shumë prej pikturave të tij tani ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Ibrahim Kodra
Ibrahim Kodra është një prej piktorëve më të famshëm shqiptarë të të gjitha kohërave. Ai studioi art në Milano dhe ishte mik me artistë të famshëm si Pablo Picasso. Punimet e tij prestigjioze ndodhen në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve në Parlamentin italian në Romë, në Galerinë e Arteve të Kosovë në Prishtinë dhe në shumë koleksione private.
Adrian Paci
Adrian Paci është një prej artistëve bashkëkohorë më të famshëm në Shqipëri dhe Europë. I lindur në Shkodër, ai u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vajti në Milano, Itali. Punimet e tij, që shpesh herë prekin tema si nostalgjia, ndarja dhe paraja, mund të admirohen në shumë muze dhe galeri artesh në botë. Paci ishte artisti i parë shqiptar që përfaqësoi Vendin e Shqiponjave në Bienalen e Venecias në vitin 1999.
Rita Ora
Rita Ora është një këngëtare britanike, aktore dhe modele e lindur nga pridnër shqiptarë në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës. Prindërit e saj u larguan nga Kosova kur ajo ishte vetëm një vjeç dhe vajtën në Londër, ku ajo u rrit me familjen e saj. Ajo u bë e famshme në vitin 2012 me këngën në bashkëpunim me “DJ Fresh”, “Hot Right Now”. Që prej asaj kohe ajo ka nxjerrë shumë hite që janë me famë botërore.
Dua Lipa
Një tjetër yll me origjinë shqiptare është e bukura Dua Lipa. Prindërit e saj migruan në Britani të Madhe në vitin 1990 për shkak të dhunës dhe shtypjeve dhe Dua u lind në Londër. Dua Lipa ka nxjerrë shumë këngë të bukura dhe të famshme në bashkëpunim me artistë të mëdhenj, si Sean Paul dhe Calvin Harris. Pa asnjë dyshim ajo është një nga artistet femër më premtuese në botë.
Anna Oxa
Ilirjana Hoxha, që njihet si Anna Oxa, është një këngëtare shqiptare, aktore dhe prezantuese televizive në Itali. Ajo u bë e famshme me pjesëmarrjet dhe çmimet e marra në festivalin prestigjoz të Sanremo, festivali më i famshëm i muzikës në Itali.
Bebe Rexha
Këngëtarja, kompozitaroja dhe producentja amerikane, Bleta “Bebe” Rexha ka rrënjë Shqiptare. Prindërit e sajë janë me origjinë etnike shqiptare nga dy qytete të ndryshme në Maqedoni. Ata vajtën në Bruklin, Nju Jork, ku Bleta lindi në vitin 1989. Ajo ka shkruar shumë këngë për këngëtarë të famshëm, përfshirë Rihanna dhe Eminem. Ajo ka publikuar gjithashtu shumë hite si “Meant to Be” dhe “I Can’t Stop Drinking About You.”
Era Istrefi
Era Istrefi është një këngëtare shqiptare dhe kompozitore e lindur në Prishtinë, Kosovë. Motra e saj Nora Istrefi është gjithashtu një këngëtare. Era Istrefi bëri debutimin e saj pesë vite më parë në vendin e saj dhe më pas në vitin 2016, ajo u bë e njohur në të gjithë botën me këngën “Bon Bon”, një këngë e shkruar në anglisht me fjali në shqip.
Ermal Meta
Ermal Meta është një këngëtar italo-shqiptar dhe kompozitor i lindur në qytetin jugor të Shqipërisë, Fier. Ai fitoi festivalin prestigjoz të Sanremos në shkurt 2018 me një këgë të bukur që i dedikohet viktimave të luftës. Ai morri pjesë edhe në festivalin e Eurovizionit duke përfaqësuar Italinë.
Action Bronson
Arian Asllani, i njohur ndryshe si Action Bronson, është një reper amerikan, yll i “reality show” dhe shef kuzhine që ka lindur në vitin 1983 në qytetin e Nju Jorkut nga një baba shqiptar mysliman dhe një nënë amerikane hebreje. Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar me artistë të famshëm si Eminem, Wiz Khalifa, Prodigy, dhe Kendrick Lamar.