Një 22 vjeçar ka humbur jetën pas një loje që kishte organizuar me kushëririn e tij.
Raportohet se i riu me iniciale B.Gj pasi kishte festuar me familjarët ditën e Shën Gjergjit, së bashku me një të afërmin e tij ishin drejtuar në lokalin e fshatit Zabzun ku edhe kishin konsumuar nga një birrë. Dy të rinjtë më pas rrugës për t’u kthyer në shtëpi kishin vendosur të luanin së bashku me një mullar aty pranë, duke garuar me njëri-tjetrin se kush do të hipte në majë më shpejt.
Por kjo lojë do të rezultonte fatale për 22 vjeçarin, i cili ka humbur jetën pasi kishte rënë nga mullari. Familjarët e tij duke kujtuar se i kishte rënë të fikët, janë nisur për ta transportuar atë drejt spitalit, por rrugës të katërta gomat e makinës ishin çarë, duke bërë që të kërkonin ndihmën e një fqinji aty pranë.
I riu kishte mbërritur në spital pa shenja jete, ndërkohë që mëngjesin e sotëm i është nënshtruar edhe një autopsie.