Gjatë prezantimit të raportit të gjashtëmujorit të parë të mandatit, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri është ndalur edhe te projektet kryesore që janë pjesë e investimeve në katër vitet e ardhshme.Sipas tij, gjatë kësaj periudhe do të përfundojnë të gjitha rrugët e nisura, akset Veri-Jug disa me Partneritet Publik-Privat dhe një pjesë e tyre do të financohen nga buxheti i shtetit.
Duke u ndalur te projektet konkrete të cilat do të financohen nga buxheti i shtetit, ministri tha se do të bëhet ndërtimi i pjesën tjetër të Unazës.“Kjo përfshin Lotin 2 dhe 3, që është pjesa nga ana e Dajtit, duke lënë vetëm një segment të palidhur me Unazën. Pra është e gjithë zona që fillon nga TEG-u deri në Kinostudio, do të përfundojë ajo pjesë e Unazës. Nga ana tjetër do të fillojmë këtë vit pjesën tjetër të Unazës nga Shkolla Industriale deri tek Sheshi Shqiponja, sepse edhe aty është bërë një problem duke ndërtuar dhe një nyje lidhëse, hyrëse në Tiranë. Do të thotë që brenda katër viteve të ardhshme në Tiranë do të kemi edhe përfundim të atij segmenti.”
Më tej, shtoi se do të shpallet gara për aksin Kardhiq-Delvinë, çka sipas tij do të favorizojë qytetin e Sarandës, duke shkurtuar distancën në 1 orë, projekt i cili përfshin edhe ndërtimin e një tuneli.Po me buxhetin e shtetit është parashikuar edhe bypass-i i Tepelenës nga Levani në Kakavijë, shkruan Scan.tv.Ndërsa projektet dhe akset rrugore të financuara me PPP, sipas Gjiknurit një ndër projektet përfshin edhe Rrugën e Arbrit.
“Rruga e Arbrit, kontrata e së cilës ka hyrë në fuqi para 3 ditësh. Kompania ka sjellë projektin e miratuar, financimi është siguruar nga kontraktori dhe pritet hapja e kantierit të Rrugës së Arbrit.”Thumanë-Kashar është një tjetër projekt për të cilin kanë nisur sot edhe procedurat për dhënien me koncesion PPP.Gjiknuri ka deklaruar gjithashtu se brenda vitit do të bëhet ndërtimi i aksit Milot-Balldren, i cili parashikon edhe një bypass në qytetin e Lezhës.
“Është në proces tenderimi bypass-i i Fierit dhe Vlorës dhe do të kalohet në fazën e dytë, që është faza e prezantimit dhe brenda verës të kemi lidhur kontratat. Verës tjetër bypass-in e Fierit do ta kemi funksional dhe brenda vitit do të përfundojë ai në Vlorë”, është shprehur ministri.Ndërkohë, ka deklaruar se janë të nevojshme edhe 50 milionë lekë të tjera për përfundimin e segmentit Qukës-Qafë-Plloçë. Sa i takon aksit Tiranë-Elbasan, Gjiknuri deklaroi se segmenti i mbetur do të përfundojë brenda këtij viti.
“Dje erdhi konfirmimi i financimit shtesë për pjesën e mbetur Tiranë-Elbasan për përfundimin e segmentit të mbetur. Nëse nis puna shpejt fillon negocimi për marrjen e huasë. Brenda vitit përfundon aksi dhe ofron mundësi për qytetarët.”Lidhur me segmenti i Rrogozhinës, Gjiknuri tha se ka një projekt konkret dhe do të shërbejë si një rrugë alternative për të shmangur Durrësin, duke afruar kështu Vlorën e Fierin me Tiranën.