Dita e sotme ishte shumë e veçantë për të gjithë të moshuarit dhe personat në nevojë që frekuentojnë mensën sociale të Kombinatit. Ashtu siç edhe është bërë traditë në ditë festash, Bashkia e Tiranës me rastin e festës së Pashkës, ofroi një drekë të ngrohtë për familjet dhe personat në nevojë të kësaj mense, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës u kujdes për t’i surprizuar ata edhe me praninë e një prej këngëtareve më të dashura të muzikës popullore qytetare, Eli Fara, si dhe me një prej mjeshtrave më të mirë të kuzhinës, Renato Mekolli.
Pasi kanë shërbyer për të pranishmit drekën, kryetari i Bashkisë së Tiranës përcolli urimin e tij për festën e Pashkës dhe theksoi se mensat sociale janë kthyer në vatra shprese për këdo që është në pamundësi ekonomike.
“Kjo është një nga 5 qendrat tona sociale ku ne shërbejmë. Më shumë se shërbimi i një vakti çdo ditë, ky është një vend ku kalojmë kohën, ku ndërtojmë komunitet, ku pavarësisht halleve, problemeve, secili gjen një vesh që ta dëgjojë. Pavarësisht sfidave të jetës, pavarësisht emigracionit apo të qenurit larg vendeve nga ku vjen secili, këtu është krijuar një çerdhe, një hapësirë shumë e ngrohtë, një atmosferë ku të gjithë mbështesim njëri tjetrin, por edhe kalojmë kohë me njëri tjetrin, po sidomos në ditët speciale të festave jemi gjithmonë e më pranë. Kështu që, e vlerësoj shumë praninë tuaj sot”, tha Veliaj.
Ai shtoi se festa të tilla duhet të jenë momente reflektimi edhe për të menduar se si mund ta bëjmë vendin tonë më të mirë, ndërsa falënderoi dy të ftuarit për praninë e tyre, duke dhënë shembullin se kur ka vullnet dhe dëshirë çdokush mund të kontribuojë për qytetin dhe ata që kanë nevojë.
Veliaj shprehu mirënjohjen e tij edhe për të gjithë ata që shërbejnë çdo ditë në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës, duke u kujdesur që t’i japin pak ngrohtësi çdokujt që ndihet i vetmuar apo është në pamundësi ekonomike. “Ne ndoshta vijmë njëherë kur ka festa, por ata janë përditë këtu, kaluan një situatë shumë të vështirë me emergjencat civile, por fakti që përveç atyre që ishin në terren, si zjarrfikës, si punonjës të emergjencave, kemi patur gjithmonë një strehë të tillë edhe për të ndihmuar ata që në raste të emergjencave civile kanë patur nevojë që të strehohen sidomos ditët e ftohta dhe me shi”, tha Veliaj.
Këngëtarja Eli Fara ka kënduar bashkë me të pranishmit disa nga këngët e repertorit të saj, ndërsa ka sjellë momente vërtetë festive. “Kënaqësi që ndodhem sot këtu. Pata emocione në fakt dhe e bëra me shumë qejf sepse kush më shumë se mosha e tretë ka nevojë për dashuri dhe për njerëz. Është kënaqësi e madhe për mua, por edhe për të gjithë që t’u bëj të buzëqeshni, t’u ndihmoj me sa mundem të gjithëve. Kështu që faleminderit, urime Bashkisë që ka hapur qendra të tilla sociale. Uroj që të shtohen sa më shumë në vendin tonë, jo vetëm në Tiranë”, tha këngëtarja Eli Fara.
Ndërsa Renato Mekolli pasi uroi festën e Pashkëve falenderoi Bashkinë e Tiranës që kujdeset për të pamundurit. “Dua t’i falenderoj të gjithë ata që janë këtu, që punojnë nga mëngjesi deri në darkë, janë shumë njerëz, i pashë që sherbejne me përkushtim dhe shumë dashuri. Falenderoj kryebashkiakun tonë, që përveç kësaj gjësë kaq të bukur që bën gjithmonë, bën edhe shumë gjëra më të bukura, që janë akoma edhe më të mëdha, por edhe këto këtu janë shumë të rëndësishme sepse njerëzit në nevojë kanë nevojë për ne”, tha Mekolli.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi gjithashtu të gjithë besimtarët e krishterë që festojnë sot Pashkën. Ai vizitoi selinë e Kishës Katolike dhe atë të Vëllazërisë Ungjillore ku mori pjesë në pritjet e dhëna me këtë rast.