Loading...

Nëna e Ermal Metës reagon për dhunën në familje

Pjesëmarrja dhe fitorja e Ermal Metës në Sanremo u shoqërua me komente të shumta. Kënga fituese ”Non mi avete fatto niente” i kushtohej terrorizmit, por një ditë pas spektaklit këngëtari nga Fieri gjatë një interviste me Edoardo Leo-n dhe Carolina Di Domenico-n tha se kur e kishte kënduar për herë të parë i ishte kujtuar fëmijëria e tij dhe dhuna e babait.

“Kur e kam kënduar për herë të parë më ka ardhur ndërmend fëmijëria ime. Doja të këndoja ‘Bastard nuk më ke bërë asgjë’.”

Portalet shqiptare i përkthyen dhe cituan burimet, por Ermali rrëfeu një të vërtetë tjetër pak ditë më parë, posaçërisht për mediat shqiptare. Ai tha të mos spekulojmë rreth jetës së tij, sepse s’dimë asgjë për të dhe se fjala bastard e përdorur në intervistë nuk i referohej të atit.

“Mos e shtoni ju atë emër sepse gaboni rëndë jo vetëm me mua por edhe me familjen e personit për të cilin po shkruani ose po flisni. Kënga që fitoi festivalin e Sanremos është kundër terrorizmit, asgjë më shumë. Shpresoj mos të lexoj më gjëra të tilla,” tha i revoltuar këngëtari.

Mamaja e tij, e kontaktuar nga ”Jo Vetëm Modë”, zonja Mira Borova tregoi versionin e saj të historisë dhe në vazhdimësi të komentit të fundit të Ermalit, gjithçka është fantazi e mediave shqiptare.

”Gazetat shqiptare të mbajnë një përgjegjësi të madhe për fantazitë që përdorin dhe ne jemi shumë të prekur nga kjo gjë në vend të jemi të lumtur. Edhe i ati i Ermalit do gëzonte ndryshe po të mos shkruheshin të gjitha budallallëqet që janë shkruar. Duhet të mendoni që sot që Ermali është 36-vjeç, domethënë burrë, ai s’ka nevojë të flasë për gjëra të tilla. Keni futur në zjarr dhe keni ngritur mure midis dy familjeve normale që bëjnë një jetë tepër normale. Fati e donte të ndaheshim dhe çdonjëri nga ne ka familjen e tij. Mendoni se sa të lënduar janë fëmijët e tij sot që nuk hyjnë fare në këtë çështje, që ne nuk kemi ftuar njeri të na e zgjidhë. Jam shumë e indinjuar nga gazetarët shqiptarë pasi një fitore e tillë që nuk është vetëm e Ermalit është kthyer në një polemikë për babanë e dhunshëm… Ermali nuk ka folur asnjëherë për dhunë pasi e para nuk flet për gjëra personale, e dyta nuk flet për persona që nuk janë prezent. Edukata e tij nuk ia lejon dhe ju ma merr mendja e keni konstatuar këtë”.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com