Loading...

Kategoria Superiore luan aktin e fundit të fazës së dytë, epiqendra në Kukës

Kategoria Superiore do të luajë nesër ndeshjet e javës së fundit të fazës së dytë, teksa spektakli është i garantuar. Nga Kukësi në Korçë, Pakult dhe Daja po bëjnë llogaritë e fundit për skuadrën që do të hedhin në fushën e lojës.

Kukësi-Flamurtari: Kampionët e Shqipërisë vijnë me një bilanc shumë pozitiv në këtë ndeshje. “Zeqir Ymeri” është një mallkim,  pasi Flamurtari nuk ka fituar asnjëherë që nga viti 2012 kur Kukësi u ngjit në Kategorinë Superiore, statistikë vërtet sugjestionuese për skuadrën vlonjate. Kukësi mund të konsiderohet pa frikë si “macja e zezë” për skuadrën që drejtohet nga Shpëtim Duro. Flamurtari nuk fiton prej Kukësit prej plot 15 takimesh. Gjithsesi vlonjatet mund të shpresojnë nga fakti se kanë në përbërje shumë futbollistë cilësor të afruar në muajin janar, dhe për momentin janë ën vendin e dytë, një pozicion që duhet ta ruajnë.

Laçi-Teuta: Vendasit synojnë që të reagojnë pas humbjes 3-1 ndaj Kamzës. Pushimet dimërore duket i kanë prishur punë ekipit të Mezanit, që duket se ka humbur ritmin e javëve të fundit. Përballë është Teuta, që është në krizë totale si në kampionat edhe në Kupë. Kurbinasit në këtë ndeshje janë dukshëm të favorizuar, por Kategoria Superiore na ka mësuar me surpriza.

Lushnja-Luftëtari: Gjirokastritët vijnë nga një fitore spektakolare në kampionat ndaj Skënderbeut, por në Kupë treguan se nuk janë aq brilant ndaj kundërshtarëve të niveleve më të dobëta. Ekipi i Dedjas duket i pashpresë në këtë kampionat për të mbijetuar, pasi kanë pasur një merkato të varfër në janar. Në krahun tjetër Lika do të provojë që të rikthejë entuziazmin te futbollistët e tij për të tentuar fitoren e radhës në kampionat, dhe pse jo në javët në vijim të provohet që të arrihet në zonën evropiane.

Skënderbeu-Vllaznia: Skuadra korçare kërkon të kthehet në rrugën e fitoreve në kampionat pas humbjes ndaj Luftëtarit. Trajneri Ilir Daja ka rikuperuar disa nga titullarët, dhe pritet që të zbresë në fushë me formacionin më të mirë. Muzaka është rikuperuar plotësisht ndërkohë që stafi do ketë në dispozicion dhe Marko Radas i cili ka shlyer me gjobë gjysmën e dënimit të vendosur nga Disiplina. Skuadra shkodrane ndodhet në një moment delikat pas humbjes me Kukësin, por ekipi ka shfaqur sinjale pozitive.

Partizani-Kamza: Ky duel mund të cilësohet si një mini derbi. Të kuqtë nuk vijnë në kulmin e ekstazës pas dy disfatave kundër Flamurtarit në kampionat e Kupë. Miqtë mund të përfitojnë si në fazën e parë, kur falë forcës së karakterit skuadra e Ndreut uli në gjunjë demat dhe i preu biletën e avionit për në Itali, Mark Iulianos. Një tjetër triumf ndaj 15 herë kampionëve do të ishte historik për klubin nga periferia e kryeqytetit, dhe ëndrra europiane do të shfaqej sërish në horizont. Të kuqtë do të jenë në stol pa Starovën, i cili është dënuar 8 javë, ndërkohë që vendin e tij do ta zërë Dalipi për këto ndeshje.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com