Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se kryeministrit Edi Rama nuk i kishte ngelur asgjë tjetër veçse ta burgoste atë pa asnjë provë. Berisha tha se askush nuk mund ta pengojë atë në misionin e tij dhe shprehu bindjen se Shqipëria nuk do të ngelet kurrë pa opozitë.
“Gabimi më i madh që mund të bëjë qytetari është që ta marrë ligjin të mirëqenë, liritë e tij të mirëqena. Kosto e këtij gabimi është vetë liria.
Njeriu i lirë është ai që zbaton ligjin, por duke qenë vigjilent se mos ai ligj po përdoret kundër tij.
Vetëm skllavi do pranonte që gjykatat, që shkelin ligjin, që shtypin lirinë e tij, të përcaktojnë fatin e tij. Kjo është diferenca mes njeriut të lirë dhe skllavit.
Kështu që a ka njeri të lirë sot të mos pranojë se shumica e demokratëve kanë zgjedhur si kreun e tyre, si lider të PD-së, Sali Berishën.
Kjo është e faktuar me dy palë zgjedhje dhe me tre votëbesime. Kjo është e faktuar me mbi 500 mijë vota jo më larg se 7 muaj më parë. Kjo është e faktuar nga një proces votëbesimi jo më larg se një muaj më parë” tha ai.