Gazetari i “Ora News” Elton Qyno prej orës 11:00 të paradites së djeshme dhe deri në orën 2 të mëngjesit të ditës së sotme ndodhej në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Nga banesa e tij Qyno është shprehur se u mbajt në SPAK deri në orën 17:00 dhe u njoftua se kishte një vendim Gjykate për t’i kontrolluar shtëpinë, zyrën dhe automjetin.
Ndër të tjera gazetari u shpreh se pas deklaratës së dhënë ka patur presione për të treguar burimin e informacionit.
Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar me dhjetëra gazetarë në mbështetje të kolegut, ndërsa kërkojnë nga SPAK që urgjentisht të bëjë transparencën e seancës me Qynon.
”SPAK-u po tregon se është njësoj si te gjitha zyrat e shtetit, me njerëz pa guxim dhe frikacakë, pa moral dhe ndërgjegje juridike.
Nuk shkojnë në zyrat e qeverisë dhe bëjnë kontroll tek gazetari. Ky prokuror që ka shkuar në shtëpinë e gazetarit duhet bërë shembull nga të gjitha mediat, që të mos e shkojnë më nëpër mend të pengojnë punën e shtypit.
Të denoncohet menjëherë penalisht për shpërdorim detyre tek kolegët e tij. Kush ka mundësi ta përpilojë kallëzimin dhe ta dorezojmë në polici, prokurori dhe gjykatë. Edhe ne Strasburg po të jetë nevoja!
Ta firmosim publikisht të gjithë atë denoncim! Liria e shtypit është një e drejtë kushtetuese, qe prevalon mbi këtë pretendim penal dhe për më tepër banal.
Lirinë e medias e ka garantuar artikulli 19 i kartës së OKB per te drejtat e njeriut. Nxjerrja e sekretit hetimor eshte nje veper penale që ka subjekt ata që e kanë për detyrë ta ruajnë!
Turp per atë gjyqtar që e ka fimosur vendimin! Turp për atë pedagog që e ka kaluar këtë ish-student në lëndën “E drejta kushtetuese”! Meqenese jam i bindur se SPAK e harxhon kohën duke lexuar FB, po ju deklaroj se Qynos ia kam dhënë unë dokumentet. Po të doni vij edhe në gjykatë t’ua deklaroj.
Kolegët të mos e ulin kokën, por t’i përgjigjemi presionit me të gjitha mjetet e mundshme qe na garantojnë konventat ndërkombëtare dhe ligjet e vendit.
Liria e shprehjes nuk mund te kufizohet nga asnje prokuror dhe gjyqtar. Nuk jemi trembur nga plumbat dhe e kemi raportuar te verteten, dhe jo te na tremb nje prokuror i paguar me taksat tona! Elton, llogarite mbeshtetjen time modeste! #eltonqyno #ArmandShkullaku #aleksandercipa #articleix”, tha ndër të tjera gazetari Alushi.