Vetëm 4 muajt e fundit 660 shoferë e kanë humbur patentën si pasojë e shkeljeve të rënda të kodit rrugorë. Pas rikthimit në kurs dhe ritestimit vetëm 83 prej tyre e kanë rifituar lejen e drejtimit.
Prej një viti me aktet e reja në fuqi, përdorimi i alkoolit, i lëndëve narkotike gjatë drejtimit të mjetit, kalimi i semaforit me të kuqe, thyerja e normave të shpejtësisë, parakalimet e gabuara e të rrezikshme konsiderohen shkelje të rënda, të cilat cojnë në humbje të pikëve të patentës, deri në zerimin e tyre.Në këtë pikë drejtuesit e mjeteve kthehen sërish në autoshkollë për të zhvilluar kursin e më pas ritestohen.
Drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor ka bërë me dije se në muajt qershor-tetor në autoshkollë janë regjistruar 660 persona, dhe vetëm 12.5% e tyre ose 83 persona janë rikthyer në rrugë si drejtues mjetesh, të tjerët do të të duhet të ripërsërisin testimin teori-praktikë brenda 30 ditëve.
Në seancën e fundit të zhvilluar pak ditë me pare nga 26 regjistrime, u paraqitën 16 kandidatë dhe vetëm 2 prej tyre kaluan testin dhe rimorën patentën.
Këta drejtues mjetesh të rikthyer në autoshkolla konsiderohen kontingjenti më problematik në rrugë, që shpesh janë shkaktarë të aksidenteve.