Franca po përjeton temperatura të pazakonta për stinën e vjeshtës.
Termometri ka shkuar mbi 30 gradë celcius në disa zona të vendit, me meteorologët që paralajmërojnë se pjesa më e madhe e Evropës do të përballet me temperatura me të paktën plus 6 gradë celcius nga vlerat normale të vjeshtës.
Edhe vendi ynë shënoi temperatura të ngrohta këtë fundjavë, me termometrin që shkoi deri në 22 gradë celcius.
Gjatë fundjavës, temperature të larta u regjistruan edhe në Spanjë, Gjermani dhe Austri.
Meteorologu grek, Sakis Arnautoglu tha se temperatura 32,6C që u regjistrua dje në Navarrenx të Francës, është temperatura më e lartë që është regjistruar ndonjëherë në Francë për 15 ditëshin e fundit të tetorit.
Korriku i vitit 2022 ishte korriku më i ngrohtë i regjistruar në Francë dhe i dyti më i thati i regjistruar ndonjëherë (pas marsit 1961). Ndryshimet klimatike janë shkak kryesor i temperaturave ekstreme që po përjeton planeti, thonë shkencëtarët, pasi gazrat serë po përforcojnë intensitetin, kohëzgjatjen dhe frekuencën e tyre.