Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e zhvilluar në nder të atletes Luiza Gega, e cilësoi një arritje që të lë pa fjalë triumfin e saj në kampionatin Europian të Atletikës.
Gjatë fjalës së tij nuk munguan as batutat pasi me nota humori Rama tha se sot u prezantua me ambasadoren e re të BE në Shqipëri, të cilës i kërkoi që të ishte e pranishme në një aktivitet për të nderuar një kampione europane që mundi një gjermane.
Kreu i qeverisë tha se nuk ndodh shpesh që Shqipëria të lërë pas Gjermaninë, pasi Gega mundi një atlete gjermane.
“E dashur Luiza e fort admiruar, kampionë, tani më edhe e Europës, është krenari dhe privilegj i veçantë që të kemi sot këtu mes nesh. Në një përpjekje për të thënë faleminderit, jo doemos me fjalët e nevojshme. Kjo arritje të lë pa fjalë.
Po të paktën me të gjithë ceremonialin që ofron shteti. Më vjen mirë që rastësia e deshi që sot të prezantohesha dhe me ambasadoren e re të BE në Shqipëri, të cilës i kërkova që të qëndrojë pas takimit për të kremtuar një kampione europane që mundi një gjermane. Nuk na ndodh shpesh që të lëmë pas Gjermaninë. Para ca kohësh dikush thoshte jemi të dytët pas Gjermanisë. Por sot këtu në këtë sallë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë.”, tha Rama.