Loading...

Qeveria e Kosovës ‘urdhëron’ restorantet: Do ju shërbeni klientëve ujë falas!

Qeveria ua ka bërë të detyrueshme restoranteve që të mos i privojnë klientët nga uji i pijshëm nga rubineti, në rast se furnizohen nga ujësjellësi publik. Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi prezantoi standardet normative për cilësinë e ujit për konsum për të mbrojtur shëndetin e njerëzve.

“Me qëllim që të vendosim standardet normative për cilësinë ujit të destinuar për konsum njerëzor…. propozoj aprovimin e vendimit që: në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund t’i ndalojë klientët të shërbehen me ujë rubineti”, tha Latifi.

Ministri tregoi edhe rregullat në rast se restoranti nuk furnizohet nga ujësjellësi.

“Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet se furnizohet nga uji i puseve, pronari i objektit obligohet të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë së ujit dhe të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga IKSHPK-ja dhe këtë certifikatë ta ekspozojë në lokal”, u shpreh ministri.

Vendimi u miratua dhe sipas tij, restorantet në Kosovë e kanë të detyrueshme të shërbejnë ujë falas për klientët.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com