Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se Turqia ka hequr të gjitha masat lidhur me Covid-19, për udhëtimet drejt këtij vendi. Duke filluar nga data 1 qershor 2022, nuk do të aplikohet më kriteri i paraqitjes së testit PCR/Antigjen. Udhëtimet lejohen për çfarëdolloj arsyeje.
Njoftimi:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nisur nga situata e krijuar prej kufizimeve të lëvizjes të udhëtarëve jashtë vendit për shkak të Covid-19, me qëllim parandalimin e situatave problematike, informon në kohë reale për çdo ndryshim të këtij regjimi që lidhet me lëvizjen e qytetarëve shqiptarë.
Komisioni Evropian ka aprovuar certifikatën digjitale të vaksinimit të Covid-19 për Shqipërinë
Kjo certifikatë është ekuivalente me certifikatën digjitale të Bashkimit Evropian, e lidhur me sistemin e BE dhe e njohur me të njëjtat kushte dhe vlefshmëri.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka dakordësuar njohjen e certifikatave digjitale të BE, për udhëtimet nga çdo vend i BE drejt Shqipërisë. Pas vaksinimit të plotë, shtetasit shqiptarë mund të lëvizin lirisht në vendet e BE.
Këshilli i Bashkimit Evropian ka rekomanduar kritere dhe rregulla të caktuara për vendet e treta, referuar lëvizjes në vendet e BE. Konkretisht Këshilli rekomandon që shtetet anëtare të BE-së duhet të lejojnë udhëtimet jo-thelbësore edhe për vendet e treta, ku përfshihet edhe Shqipëria. Duke filluar nga data 1 mars 2022, do të lejohen të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së:
– Personat e vaksinuar me një vaksinë të miratuar nga BE ose OBSH, me kushtin që të kenë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së fundit dhe jo më shumë se 270 ditë para mbërritjes në një shtet të BE-së;
-Personat e rikuperuar nga COVID-19;
-Për disa nga këta udhëtarë, mund të zbatohen masa shtesë si testimi PCR përpara udhëtimit.
-Për fëmijët e moshës nën 6 vjeç, Këshilli rekomandon të mos kërkohet apo zbatohet asnjë masë shtesë.