Loading...

Kryeministri Rama dhe ministrja Xhaçka nisen sot në Amerikë, zbulohet arsyeja

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka do të nisen mesditën e kësaj të hëne drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas seancës për Presidentin sot në Kuvend, ata do të nisen për në Nju Jork.
Newsbomb.al mëson se më datë 1 qershor, Shqipëria do të marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për 30 ditë, vendi ynë do të mbajë drejtimin e institucionit më të rëndësishëm botëror për sigurinë, në Kombet e Bashkuara.

Një vit më parë, më 11 Qershor 2021, Shqipëria u pranua si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit të OKB. Kjo është dhe arsyeja pse Edi Rama dhe Olta Xhaçka do të nisen sot drejt Amerikës, ku do të qëndrojnë për pak ditë.

Ndërkohë, në Kuvend do të mbahet dhe seanca plenare për Raundin e tretë të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Një seancë që pritet të zgjasë vetëm pak minuta, pasi opozita dështoi të propozonte një emër, duke pretenduar se PS e prishi marrëveshjen.

Ndryshe nga herët e tjera kur kjo seancë është zhvilluar pasdite, këtë të hënë do të mbahet në orën 10.00 të paradites, për shkak se kryeministri Rama dhe ministrja Olta Xhaçka do të udhëtojnë drejt Amerikës dhe nuk mund të jenë prezent më vonë.
Në kushtet kur edhe raundi i tretë zhvillohet pa kandidatë, do të jetë raundi katër përcaktues se kush do të jetë kreu i ri i shtetit. Ndryshe nga tre raundet e para që kërkonin 84 vota, i katërti sipas Kushtetutës, e zgjedh Presidentin me shumicë të thjeshtë 71 vota.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com