Loading...

Lajm i fundit! Rritet sërish çmimi i karburanteve

Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të naftës dhe benzinës, pas shtrenjtimit të tyre në bursat ndërkombëtare.

Sipas vendimit të fundit, të marrë sot, një litër naftë me pakicë do të tregtohet me 226 lekë për litër, nga 2019 lekë për litër që ishte deri tani. Vendimi do të fillojë të zbatohet nga ora 6 e pasdites.

Është rritur më lehtë çmimi edhe për benzinën, që do të tregtohet me 209 lekë për litër, nga 205 lekë për litër që ishte deri tani.

Çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar në 115 lekë për litër, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë ky.

Në bursa, një litër naftë po tregtohet me 106 dollarë për fuçi, nga rreth 100 dollarë që ishte kur Bordi mori vendimin e fundit në datën 8 prill.

Në fillim të muajit mars, çmimet e naftës në vend shënuan nivele rekord prej rreth 260 lekë për litër, ndërsa me fillimin e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në bursa karburanti arriti në 130 dollarë. Në javën e parë të marsit u krijua Bordi i transparencës nga qeveria, i cili vendos periodikisht çmimet tavan të shumicës dhe pakicës, mbi të cilin tregtuesit nuk mund të operojnë.

Operatorët e tregut ankohen se me këto ndërhyrje, Bordi po nxjerr jashtë loje tregun e lirë, duke u hequr mundësinë kompanive të zbusin lëvizjet e çmimeve, që varen nga faktorë të shumë si çmimi ditor, kursin e këmbimit, duke bërë që bizneset jo vetëm të mos fitojnë, por edhe të shesin nën kosto.

Sipas Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, deri tani janë mbyllur rreth 160 pika. Sipas tyre do të ishte më përfitim për tregun, nëse do të hiqej dorë nga fiksimi i çmimeve dhe të shtoheshin kontrollet për të kapur abuzimet që mund të ndodhin në treg. Fiksimi i çmimeve nuk po u mundëson bizneseve që të manovrojnë kur të bursa mund të ketë ulje të tyre, apo të mbrohen nga rritjet. Shoqata paralajmëron se nëse do të vazhdojë kjo situatë do të detyrohen që të ulin furnizimet, duke shkaktuar mungesa në treg.

Pritshmëritë në bursa janë për rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës, pas mbarimit të efekteve të deklaratave të SHBA-ve për përdorimin e rezervave./Monitor

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com