Po afron sezoni turistik dhe hotelet janë në kërkim të fuqisë punëtore. Në Shqipëri mungojnë përgjithësisht shërbimet dhe sektori i turizmit prej disa vitesh po vuan pasojat.
Hotelet në Golem, që janë struktura me kapacitet të madh akomodues, kanë parë të arsyeshme marrjen e punëtorëve nga vende të tjera, diçka që ka nisur të zbatohet në praktikë në sektorë të ndryshëm.
Turizmi ka qenë në presion të vazhdueshëm dhe shumica e strukturave të mëdha pohojnë se u është dashur të rrisin pagat me 20 për qind për të mbajtur në punë stafin apo për të marrë punonjës të rinj për nevojat që kanë në pozicione specifike.
Nga ana tjetër lulëzimi i punësimit të të huajve ka nisur prej disa kohësh përmes agjencive të dedikuara. Një rast i ngjashëm i punësimit të të huajve në Shqipëri është ai i 30 grave nga Nepali në bujqësi.
Raste sporadike të punësimit të të huajve në sektorë të ndryshëm si fasoneri dhe ndërtim u lakuan sidomos gjatë vitit të shkuar. Një deklaratë e Kryeministrit në atë kohë që këshillonte bizneset të merrnin punonjës nga Bangladeshi u bë virale. Qeveria nga ana tjetër miratoi një ligj të dedikuar për të huajt i cili synonte lehtësimin e procedurave dhe leje qëndrimin në Shqipëri ku përfshihej edhe aspekti i punësimit. Kështu Shqipëria tashmë vuan për gjetjen e fuqisë punëtore e cila ka emigruar në vite.