Këtë të hënë rinis gjyqi ndaj Presidentit Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese. Por presidenti Meta duket se ‘nuk e vret mendjen’, pasi vetëm pak minuta para se të nisë seanca në Kushtetuese e njoftuar për në orën 10:00, ai ka postuar një foto nga liqeni i Tiranës, ku mesa duket ka dalë për ecje.
“Të dashur miq ju uroj një javë të mbarë!”, shkruan Presidenti krahas fotos, në dukje i pashqetësuar për gjyqin e tij.
Presidenti ka zgjedhur të mos marrë pjesë fizikisht në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij, duke ia lënë në dorë mbrojtjen juristeve, të cilët u bënë shkak që procesi te zvarritej pasi kërkuan kohë për të njoftuar kreun e shtetit për atë që ndodhi në seancë.
Më 3 shkurt Presidenca paraqiti një fashikull prej 140 faqesh, ku vihej në pikëpyetje legjitimiteti i Kuvendit që shkarkoi Ilir Metën, ndërsa mazhoranca socialiste u akuzua për hakmarrje politike.
Parashtrimet e juristëve të Ilir Metës nuk bindën gjyqtarët kushtetues të cilët drejtuan një mori pyetjesh në adresë të kreut të shtetit.
Procesi që po zhvillohet ndaj Ilir Metës në Kushtetuese po tregon se hallkat e gjyqësorit nuk ndryshojnë shumë nga njëra tjera, pasi tre mbledhje nuk mjaftuan për të mbyllur gjyqin ndaj kreut të shtetit.