Loading...

Liri Berisha tregon si u njoh me Nënë Terezën dhe familjen e saj

Liri Berisha ka treguar në emisionin “Rudina” njohjen me Nënë Terezën dhe familjen e saj, histori të shkëputura nga jeta, të cilët i ka përmbledhur në librin e publikuar së fundmi që i dedikohet pikërisht kësaj figure të madhe.

Berisha ka rrëfyer se njohjen e dytë me Nënë Terezën e ka pasur atëherë kur ka parë në mediat italiane që kjo figurë e madhe e kombit shqiptar, mori çmimin Nobel për Paqen.

“Njohja e dytë ka qenë në më shumë se pas dy dekadash kur mediat italiane jepnin me bujë se një grua shqiptare mori çmimin Nobel të Paqes dhe kjo grua e imët në fizik, me atë çmimin në dorë thoshte me krenari se jam me gjak shqiptare, ishte hera e parë që bota mësoi prejardhjen e saj. Më vinte keq se televizioni shtetëror shqiptar e censuronte këtë lajm.

Aty mora vesh se Nënë Tereza ishte ajo vajza me emrin Gonxhe. Pasi ra komunizmi, e kam takuar disa herë, por ky takim ishte vërtetë kënaqësi, sepse më lidhte fëmijëria, familja, do takoja një grua që e nderonte gjithë bota dhe ishte shumë e çuditshme se si ajo deri 4 dekada nuk mund të futej në shtetin e saj. Kisha parë vuajtjet e nënës së saj”, është shprehur Liri Berisha.

“E kam njohur Nënë Terezën në moshën 15-vjeçare, në një kohë kur nuk dija se çfarë shkruanin gazetat e huaja për të, kur në Shqipëri nuk flitej asnjë fjalë, nuk e njihte askush. Në thellësinë time, më çonte emri i saj tek familja dhe origjina e saj, për të cilën kisha dëgjuar të flitej me shumë nderim për atë familje. Pastaj në rrugën e Kavajës ka qenë një shtëpi ku banonte motra dhe nëna e Nënë Terezës.

Ne shkonim shpesh atje, aty kam njohur nënën dhe motrën e saj dhe më bënte shumë përshtypje si në familjen tonë diskutohej për ato zonjat me një lloj nderimi dhe keqardhjeje. Një ditë, kur e pyeta mamin, kush janë ato dy gra, ajo më tha që nuk janë gra, por zonja. Atë kohë ishte e ndaluar fjala zonjë, ishte shoqe e lejuar. Pastaj më tregoi historinë e familjes së saj, për Nënë Terezën dhe si i ishte përkushtuar një misioni në Indi”, tha më herët gruaja e ish-kryeministrit Berisha.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com