Andrea Agnelli, presidenti i Juventusit, po mendon për mundësinë e marrjes së Igli Tares në klubin gjigant torinez.
Po flasim për drejtorin sportiv shqiptar aktualisht te Lazio, mjaft i suksesshëm në detyrën e tij me bardhekaltrit, për pasojë edhe i lakmuar nga klubet e mëdha të Serie A.
Sipas asaj që raportohet nga “Calciomercato.com”, numri 1 i Juventusit e vlerëson shumë menaxherin e Lazios dhe është gati t’i ofrojë atij rolin që sot e mban Cherubini, ndërsa në të kaluarën i përkiste Marotta dhe Paratici.
Sidoqoftë, Tare është i lidhur kontraktualisht me Lazion deri në qershor 2023. Presidenti i bardhekaltërve kryeqytetas, Claudio Lotito, nuk ka gjasa ta lirojë atë para asaj date.
Kujtojmë se Igli tare është shpallur drejtori sportiv më i mirë në Serie A, para dy vitesh. Shqiptari spikat në gjetjen e talenteve të panjohur, i afron te Lazio dhe shpejt ata shpërthejnë, duke u kthyer në burim fitimi kolosal për klubin.
Pra, blihen për shuma të vogla dhe për disa vite shiten te gjigantët për shifra të mëdha. Mjafton të përmendim Correa, që kaloi tek Interi kësaj vere, apo serbin Milinkovic-Savic, zbulim ekskluziv i Tares, të cilin e synojnë gjigantët e Europës, për të kuptuar pse është kaq i kërkuar ish-kapiteni ynë kuqezi.