Konferenca e Kryetarëve miratoi sot vendimin “Për zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve të përhershme të Kuvendit” duke vendosur të detyrojë gazetarët dhe deputetët që të bëjnë tampon nëse nuk kanë bërë vaksinë.
Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, sot më datë 04.10.2021 u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Konferenca vendosi zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve të përhershme të Kuvendit me prezencë fizike, duke respektuar distancimin fizik të deputetëve dhe masat e tjera mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 si dhe me dakortësinë e kryesisë së komisionit parlamentar, mbledhjet mund të zhvillohen edhe në distancë.
Deputetët si edhe gazetarët në mënyrë që të ndjekin mbledhjet e komisioneve parlamentare fizikisht, duhet të paraqesin çertifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ, përpara zhvillimit të mbledhjes.
Konferenca miratoi edhe kerkesen e PD per ngritjen e tre komisioneve hetimore. Përbërja e tyre dhe elementë të tjerë të procedurës që lidhen me këto komisone u lanë të miratohen në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve.