Loading...

Sot hyjnë në fuqi 3 kushte anti-COVID në kufi, ja sa ditë karantinë bëni nëse nuk plotësoni asnjërën

Për të gjithë ata që do futen në Shqipëri ditën e sotme, do duhet t’i nënshtrohen rregullave të reja anti-COVID në kufi. Komiteti Teknik i Ekspertëve më 30 gusht vendosi 3 kushte për qytetarët që duan të futen në Shqipëri. E para, të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.

Së dyti, nëse nuk kanë bërë vaksinën, atëherë duhet të kenë patjetër testin PCR negativ brenda 72 orëve dhe së fundmi testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen në atdhe dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. Pra nëse rezidentët nuk kanë as vaksinë, as nuk kanë bërë tampon, dhe as nuk kanë bërë testin serologjik, duhet të vetëkarantinohet për 10 ditë në shtëpinë e tij. Ndërsa një shqiptar jo rezident që kërkon të hyjë në atdhe pa vaksinë, tampon, apo test serologjik, ndryshe nga shqiptari resident, nuk ka të drejtë të vetëkarantinohet 10 ditë, por i duhet të kthehet në vendin nisjes.

Interesuar mbi këtë fakt, Shqiptarja.com mësoi përmes burimeve jo zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka diskutuar përpara mbledhjes publike, për shqiptarët jo rezidentë, dhe i ka përjashtuar ata, me argumentin se kur të kthehen në Shqipëri nuk kanë shtëpi ku të vetëkarantinohen! Edhe qëndrimi në hotel, thanë të njëjtat burime, do të ishte i vështirë për shkak se duhen dhoma karantimi, që të ofrojnë edhe ushqimin, dhe sigurinë se askush nuk do të thyejë izolimin duke rrezikuar të tjerët.

Nga ana tjetër, në aeroport do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre, dhe mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme. Këto rregulla të reja janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri, e ndërsa nuk janë në fuqi për fëmijët deri në 6 vjeç.

Rregullat e reja

Duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:

Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.

Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.

Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave

Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Ashpërsimi i masave anti-COVID erdhi për shkak të rritjes së konsiderueshme të rasteve të infeksionit në vend, si pasojë e përhapjes së variantit Delta. Në 24 orët e fundit në vend u regjistruan 3 viktima dhe 896 raste të reja infeksioni.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com