Me një karrierë prej më shumë se dy dekadash në skenën shqiptare, Bleona Qerreti numëron këngë të shumta në repertorin e saj. Mirëpo, një ndër këngët më të famshme të saj që vijon të përflitet ndonëse kanë kaluar vite të shumta nga publikimi, është pikërisht kënga “Ti nuk din as me ma lyp”.
Kënga asokohe bëri bujë për shkak të titullit mjaft provokues, mirëpo bujën e vërtetë e ka bërë sot, më shuëm se 10 vite më pas, pasi në studion e “Xing me Ermalin”, Bleona Qerreti zbuloi se ajo në fakt i dedikohet dikujt. “Realisht unë atë këngën ia kam bërë dikujt. Domethënë është një histori e vërtetë pas këngës.”- u shpreh Bleona.
Deklarata e saj surprizoi publikun dhe drejtuesin e emisionit Ermal Mamaqi, i cili këmbënguli që këngëtarja të zbulonte identitetin e personit të cilit i dedikohet kënga. “Nuk është me rëndësi të merremi me emra. Ai është shumë i madh tani dhe ka qenë i madh edhe atëherë. Unë dhe Agim Doçi e kishim fjalën për fenomenin.”- u shpreh Bleona Qerreti, duke refuzuar të zbulojë emrin.
Megjithatë, referuar tekstit në të cilin thuhet “hiq kravatën që ke në fyt”, ajo me siguri i dedikohet një zyrtari dhe siç la të kuptohej Bleona në shakatë e saj me Mamaqin, bëhet fjalë për një politikan.