Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me fermerët në Rrogozhinë tha se gjatë këtyre tetë viteve janë hedhur baza të forta në zhvillimin e bujqësisë për një ndryshim që vazhdon.
Rama sulmoi edhe planin e opozitës për bujqësinë, ku thotë se ata premtojnë euro në këmbim të zhvillimit ndërsa ne kemi ngritur struktura që vlerësojnë dhe mbështesin bujqësine sipas meritës, jo sipas tekave.
Sipas kreu të qeverisë gjatë këtyre 7 viteve ka ndryshuar raporti import-eksport, duke treguar rritje të ndjeshme të prodhimit bujqësor vendas.
Fjala e Ramës
Faleminderit dhe shumë respekt që keni lënë tokën për një moment dhe jeni mbledhur këtu për të patur këtë komunikim!
Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua kur për shkak të detyrës kam fatin dhe mundësinë të takohem me njerëzit e punës, me njerëzit që punojnë, me njerëzit që nxjerrin bukën dhe nxjerrin të ardhurat e familjes së tyre me punë të ndershme, me punë këmbëngulëse e cila vërtetë lodh, vërtet streson, por në fund të bën të flesh i qetë dhe të çohesh të nesërmen me të njëjtën energji dhe me të njëjtin entuziazëm për të punuar.
Më erdhi shumë mirë që sot miqtë që janë këtu me mua dhe që më krijuan këtë mundësi kanë menduar të organizojnë këtë takim me ju posaçërisht, me njerëzit e tokës, me fermerët , me ata që nuk bëjnë lajm, me ata që i sheh shumë rrallë për të mos thënë fare nëpër ekranet e televizorëve, i sheh të neglizhuar nga klubet e natës, ku mblidhen nëpër kolltukë ata, që quhen analistë dhe dërdëllisin papushim, duke i dhënë mend të gjithëve pa i thënë njëherë punës së tyre mirëmëngjes.
Më vjen mirë që jam sot këtu midis jush dhe nëpërmjet jush mund të flas me dhjetëra mijëra të tjerë si ju sepse jeni ju baza e një transformimi të pamohueshëm në sektorin e bujqësisë për të cilin ka dy shifra, dy fakte që mbase kurrë nuk do të dalin në Tv dhe mbase kurrë shumëkush që e sheh fshatin përmes TV nuk do t’i dëgjojë, por dy shifra që flasin se ne jemi në drejtimin e duhur dhe se kemi vendosur bazat e forta të një transformimi që vazhdon.
E para, në këto 7 vite e pak që jemi në krye të detyrës, kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës që punohet. Në Shqipëri, në vitin 2013 punohej afro 125 mijë hektarë tokë. Sot, jemi në 250 mijë dhe ka ende sipërfaqe për t’u mbuluar me punë, sepse ka ende sipërfaqe ku ne duhet të shtrijmë kanalet ujitëse dhe kulluese. Por, më e madhja është bërë.
Pjesa më e madhe e një llumi që kishte mbuluar pjesën e ujësjellës kanalizimeve në Shqipëri është tanimë lënë mbrapa.
Shifra e dytë është shifra e prodhimit.
Deri para 7 viteve e kusur, Shqipëria importonte 7 dhe eksportonte 1, pra 7 me 1 ishte raporti. Sot Shqipëria importon 3 dhe eksporton 1. dmth rënia e i importit të prodhimeve bujqësore lidhet drejtpërdrejtë me rritjen e prodhimit këtu në vend dhe me rritjen e pranisë në tregun vendas të produkteve tuaja, si dhe me rritjen e eksporteve.
Janë rritur eksportet dhe vazhdojnë të rriten. Ne e kemi çuar sot që flasim eksportet e bujqësisë nga afro 100 milionë në 400 milion dhe me planin e veprimit që kemi për 2021-2025 do t’i çojmë në 1 miliardë, që do të thotë më shumë fuqi prodhuese për Shqipërinë, më shumë sovranitet ushqimor për Shqipërinë dhe më shumë të ardhura për ju për familjet tuaja dhe për familjet e bekuara të gjitha atyre që jetojnë në fshat dhe punojnë tokën e tyre dhe me prodhimin e tyre mbajnë familjen, por mbajnë edhe gjithë familjen tonë të madhe shqiptare.
Ju e dini që shteti gjithmonë ka qenë në anën tuaj ka qenë pranë jush, qoftë me skemat kombëtare qoftë me mbështetjen nga fondet e BE. Kur ne kemi marrë detyrën Shqipëria ishte e fundit në Ballkan se në Europë nuk po e diskutoj, për thithjen e fondeve të Be për bujqësinë. Sepse fondet ishin atje dhe këta që duan të rikthen sot, as nuk arritën dot të bënin një projekt për t’i thithur ato fonde. Ndërkohë që sot Shqipëria është e para në Ballkan për thithjen e fondeve nga BE sepse kemi ndërtuar një Agjenci për zhvillimin Bujqësor dhe Rural që është një Agjenci europiane me një grua atje, një miken tonë që ka bërë një reformë të madhe dhe me një skuadër fantastike që punon ditë, natë pranë fermerëve, që i ndihmon për të bërë aplikimet, që i ndihmon për të bërë projektet dhe për t’i realizuar dhe që ja ka dalë t’i zbardhi faqen Shqipërisë në këtë program të BE për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
E ndërkohë kur puna jonë vazhdon dhe ne duhet të çojmë përpara të gjithë punët e nisura, na kanë dalë përpara të gjithë këta xhagajdurët e së shkuarës, një shportë me karavidhe, të mbledhur të gjithë atje “raqeraqekiriko” siç ishte ajo loja e dikurshme që bënim me njëri-tjetrin, duke krijuar një tabor krushqish dhe duke e sorollatur Lulin nëpër Shqipëri për ta bërë dhëndër.
E ndërkohë në këtë sorollatje ajo që po bën Lulzim Basha dhe të gjithë ata që organizojnë ato dasmat pa nuse nëpër rrugët e Shqipërisë është e turpshme, është e papërgjegjshme, është një rremallë kriminale sepse ato janë vatra të infektimit, ndërkohë që ne kemi ngritur në të gjithë Shqipërinë qendra të vaksinimit.
Ndërkohë që ne jemi një nga dy vendet në të gjithë rajonin që kemi hyrë në vaksinimin masiv me një ritëm që shumë shpejt do të dalim në pjesën lartë të tabelës së vaksinimit në Europë do të jemi mes vendeve që vaksinojnë më shumë. Ndërkohë që ata nuk duan t’ia dinë as për njerëzit e tyre më besnikë, për njerëzit më të përkushtuar të kësaj partie që i mbledhin atje, i ngjeshin me njeri tjetrin, me ulërima, me dy gishta me flamuj siç kanë bërë për 30 vjet që ku kanë gjetur shesh dhe kanë bërë përshesh dhe me mendimin që të kur të mbarojmë zgjedhjet, kush ta hajë nga këta, le ta hajë./NOA.al