Krahas qëndrimeve në Tiranë, Kryeministri Edi Rama e ka shprehur edhe në Bruksel shqetësimin që Rajoni i Ballkanit u la mënjanë nga BE për vaksinat kundër koronavirusit.
Në konferencën e përbashkët për mediat, krah Josep Borrell dhe Olivér Várhelyi, Rama u shpreh se Rajoni u la mënjanë në këtë drejtim.
Madje nuk ngurroi të thotë se në këto kushte po shikohet mundësia për të parë përtej burimeve të dëshirueshme për të siguruar vaksinën.
“Ne i vlerësojmë shumë përpjekjet e bëra nga komisioneri për të qenë në anën tonë në këtë moment kaq delikat kur ne, Shqipëria, dhe vendet e tjera të rajonit u lamë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave.
Shpresoj që kjo situatë do të zhbllokohet. Jam i lumtur të shpall këtu me ju që Covaxi po nis tju japë vendeve dozat e para dhe do jemi shumë të lumtur që të marrim dërgesën e parë të vaksinës Astrazeneca.
Po punojmë për të rritur kapacitetet dhe po shohim përtej burimeve të dëshirueshme të vaksinave. Jam shumë i lumtur të dëgjoj drejtpërdrejt atë që kemi dëgjuar në rrethana të ndryshme, ndërkohë që theksohet nga ju që Shqipëria ka bërë gjithçka për çeljen e konferencës ndërqeveritare, ne e kemi bërë punën tone”, u shpreh Kryeministri.
Nuk dihet për çfarë e ka fjalën Kryeministri kur thotë “po shohim përtej burimeve të dëshirueshme”, por me gjasë i referohet vaksinave të prodhuara nga vende si Kina dhe Rusia.
Madje kjo e fundit kërkoi më herët që të bisedohet në këtë drejtim për të siguruar vaksina, por që u refuzua nga Qeveria Shqiptare. /noa.al/