Ditën e sotme është ndarë nga jeta sipërmarrësja e njohur në Durrës, Shpresa Prodani.
Lajmin e hidhur e dha përmes një postimi prekës në rrjete sociale vajza e madhe e saj, Evis Prodani.
“Mamasë, shoqes, dhe këshillueses më të mirë që mund të kishim kërkuar. E dimë që ti je me babin dhe do vazhdosh të na shohësh. Të duash shume!! RIP”,- shkruan Evisi në postimin e saj.
Një rastësi e pazakontë, 17 vite më parë, më 4 janar 2004, do të ndahej në mënyrë të parakohshme nga jeta bashkëshorti i saj, Shpëtimi, një figurë mjaft e njohur dhe respektuar në Durrës.
Biznesmenia e njohur Shpresa Prodani e mori drejtimin e kompanisë në vitin 2004, fill pas vdekjes së të shoqit.
E lindur në Tiranë më 12 shkurt 1952, studentja e talentuar e Inxhinierisë do të zhvendosej në Durrës pas martesës me Shpëtim Prodanin dhe për shumë vite do të angazhohej në arsimin profesional në Durrës, duke përgatitur breza të tërë gjimnazistësh.
Kur i shoqi u nda papritmas nga jeta në vitin 2004, asaj iu desh të merrte përsipër biznesin që kishte themeluar dhe drejtonte ai, një kompani të njohur transporti, duke arritur të bëhet një nga biznesmenet më të suksesshme në Shqipëri.
Shpresa Prodani ishte edhe aksionere edhe në njw nga kompanitë e njohura të sigurimeve.
Nga viti 2005, Shpresa Prodani u bë anëtare e Universal Freight Organization me qendër në Londër. Ishte fituese e çmimit për kualifikim e menaxhim në Gjenevë të Zvicrës dhe përfaqësuese e Shqipërisë në forumin e parë të Detit të Zi për transportin dhe logjistikën mbajtur në Stamboll në dhjetorin e vitit 2011 nga UNDP-ja.
Për të gjithë këtë angazhim aktiv në fushën e biznesit, Shpresa Prodanit Bashkia e Durrësit dhe Shoqata Durrësi, i akordoi titullin e lartë “Nderi i qytetit”, në vitin 2013./NOA.al