Loading...

Shërbimi i kolaudimit të automjeteve i kalon shtetit/ Si do bëhet kontrolli teknik i mjeteve të reja dhe të përdorura

Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale lajmin për kalimin në shtet të shërbimit të kolaudimit të automjeteve.

Në një postim në Facebook, Rama tregon disa prej risive që do të përfitojnë drejtuesit e mjeteve pas kalimit të Kontrollit Teknik të Mjeteve Rrugore (kolaudimi) nën administrimin shtetëror.

Ai shkruan se “me përfundimin në dhjetor të koncesionit absurd të kontrollit teknik të mjeteve rrugore (kolaudimi), ky shërbim sikundër e kemi premtuar do t’i kthehet shtetit dhe do të kryhet nga DPSHTRR dhe nga janari 2021 do të ketë këto risi që do të lehtësojnë drejtuesit e 630 mijë automjeteve”.

Kështu sipas Ramës, mjetet e reja (0 km) 3 vitet e para nuk do kalojnë në kolaudim, mjetet e përdorura, nga 1 herë në vit do ta kryejnë kolaudimin 1 herë në 2 vjet dhe mjetet taksi, autoshkolla dhe mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve, nga çdo 6 muaj do ta kryejnë kolaudimin vetëm 1 herë në vit.

“Ndërkohë tarifat aktuale nuk do të rriten, megjithëse afati i vlefshmërisë zgjatet. Rradha famëkeqe e stresit dhe humbjes së kohës ‘tek Kolaudimi’ do marrë fund”, – sipas kryeministrit.

Ndërkohë Rama premton se “cilësia e shërbimit do të rritet, përafrimi me Direktivat e BE në fuqi do të përshpejtohet, modernizimi e informatizimi i këtij shërbimi do të jetë prioritet, sikundër është bërë në punën e deritanishme të DPSHTRR”.

Ministria e Infrastrukturës i ka kërkuar kompanisë koncesionare SGS që të transferojë në pronësi të shtetit Qendrat e Kontrollit Teknik të mjeteve si dhe të gjitha asetet e tjera të koncesionit për kolaudimin e makinave.

Vendimi është marrë pas përfundimit të kontratës koncesionare, teksa pas datës 1 janar mjetet do të përdoren nga drejtoria e transporteve. /noa.al/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com