Grevistët e rafinerisë së Ballshit vazhdojnë të mos dorëzohen në grevën e nisur prej ditësh. Kërkesa e tyre është për të marrë reth 26 paga të prapambetura.
“Çfarë të kushton të vish me një grup negociator?” – i janë drejtuar sot grevistët kreut të qeverisë.
Kryeministri Edi Rama pas thirrjes publike të grevistëve reagoi menjëherë.
“Unë jo vetëm nuk po hesht por po përsëris çdo ditë: Ndalni grevën dhe ulemi diskutojmë për hallin tuaj! Nuk ka negociata me presione e me ultimatume në një familje, po ka qarje halli me logjikë e me zemër të hapur! E thjeshtë: Dilni nga greva dhe do vij unë vetë tek ju menjëherë”, – shkroi Rama për naftëtarët grevistë.
Pavarësisht se disa grevistë raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ata janë shprehur se nuk kanë ndërmend të dalin nga greva, pa marrë më parë zgjidhje çështja e tyre.
/NOA.al