Ambasada Kineze në Shqipëri ka dhuruar sot 150 “pemë miqësie”, me rastin e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet.
Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding dhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës për Marrëdhëniet me Jashtë, Anuela Ristani, mbollën disa nga pemët në parkun e Liqenit Artificial në Tiranë.
Duke folur në ceremoni, Zhou tha se pemët, dhuruar përpara 71 vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, e cila festohet më 1 tetor, simbolizojnë miqësinë e përjetshme midis dy vendeve, kjo edhe me rastin e dy përvjetorëve.
Zhou tha se Tirana është një qytet i fortë dhe i gjallë. “Pavarësisht tronditjeve, disa tërmeteve dhe pandemisë COVID-19, banorët këtu gjithmonë përballen me sfida, vështirësi me guxim dhe solidaritet.”
Ambasadori kujtoi se në fillimin e shpërthimeve të COVID-19 në Kinë, bashkia e Tiranës nisi një fushatë për të mbështetur Kinën në betejën e saj, kundër pandemisë, duke refuzuar gjithashtu stigmatizimin dhe diskriminimin.
“Ne jemi shumë krenarë që kemi një mik të vërtetë si Shqipëria dhe po aq krenar për kontributet e fundit të Kinës, me pajisje mjekësore, në betejën e Shqipërisë kundër pandemisë,” – shtoi Zhou.
Zhou tha se Tirana po ecën përpara, në rrugën e zhvillimit. Ai tha se Kina është e gatshme të punojë së bashku me Shqipërinë dhe Tiranën, në promovimin e rimëkëmbjes së ‘gjelbër ekonomike’.
Në fjalët e saj, Ristani vlerësoi dhuratën e ambasadës kineze.
“Kjo është absolutisht një dhuratë shumë e veçantë për Tiranën, më e veçantë se në çdo vit tjetër, veçanërisht në këtë kohë të vështirë, kur nuk është e lehtë që të kemi miqtë tanë të pranishëm gjatë festimeve tona,” – tha Ristani.
Midis të pranishmëve në ceremoni ishte Shefi i Grupit Parlamentar të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Kinës, Anëtari i Parlamentit, Bashkim Fino.
Fino falenderoi ambasadën kineze dhe ambasadorin në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, për ndihmën e vazhdueshme, që i është dhënë Shqipërisë.
Fino e quajti dhuratën e 150 pemëve një “ndihmë të madhe dhe kujdes të jashtëzakonshëm të treguar nga Ambasada Kineze”.
/NOA.al