Në 74 pika kontrolli të ngritura në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale, po licia në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, FNSH-në, RENEA-n dhe policinë kufitare në 24 orët e fundit, kanë vënë në pranga 20 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Si rezultat i kontrolleve janë goditur disa raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla dhe janë vënë në pranga autorët, janë kapur persona në kërkim, janë goditur raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit etj.
Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e komisariateve të policisë në të gjithë vendin, 48 persona me precedent penal të mëparshëm dhe pa dokument identifikimi me vete.
Janë arrestuar 6 persona, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, konkretisht: 1 në Dibër, 1 në Elbasan dhe 3 në Tiranë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar drogë dhe para të përfituara nga shpërndarja e lëndës narkotike.
Janë ndaluar 4 persona të shpallur në kërkim: 1 në Fier dhe 1 në Kukës, për veprën penale “Vjedhja”; 1 në Korçë, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 1 në Tepelenë, i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
Në Lezhë është arrestuar një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë e ftohtë (dorezë metalike).
Në Korçë është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi u kap duke transportuar 2 emigrantë të paligjshëm.
Janë arrestuar 3 shtetas që u konstatuan duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur, 1 në Dibër, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë.
Gjithashtu janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 17 automjete në gjithë vendin. /noa.al