Loading...

Shqipëria, zonë e rëndësishme për shkurtën në korridorin e shtegtimit

Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese të ngrenë vigjilencën dhe të përballin raste të gjuetisë së paligjshme.

Muaji shtator shënon pikun e shtegtimit për shkurtën (Coturnix coturnix), një rrugëtim i cili i ngjan më tepër një fluturimi për mbijetesë.

Gjatë përshkimit të mijëra kilometrave nga Europa Juglindore drejt Afrikës Subsahariane, ky shpend i mrekullueshëm gjendet nën presionin e vazhdueshëm të brakonazhit.

Pavarësisht se shkurta është gjuajtur prej shekujsh, popullata e saj nuk ka qenë e rrezikuar, por përdorimi i mjeteve si imituesit elektronikë, apo vendosja e rrjetave me gjatësi kilometrike përgjatë rrugës së shtegtimit, kanë filluar të ndikojnë negativisht në qëndrueshmërinë e popullatës së këtij lloji.

Shqipëria është një zonë e rëndësishme për shkurtën në korridorin e shtegtimit përgjatë Adriatikut, po ashtu, konsiderohet si një zonë e nxehtë për sa i përket vrasjes së paligjshme të saj me anë të imituesve elektronikë, duke ndikuar në uljen e popullatës botërore të këtij lloji.

Imituesit e zërit bëjnë të mundur grumbullimin e shumë individëve të shkurtës në një vendndodhje të caktuar, duke e bërë më të lehtë vrasjen e tyre dhe furnizimin e restoranteve ku serviret mish i egër.

PPNEA i bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese të ngrenë vigjilencën ndaj imituesve që dëgjohen në mënyrë të vazhdueshme, përgjatë netëve, në zonat rurale. Gjithashtu, i lutemi kujtdo që përballet me raste të gjuetisë së paligjshme që t’i raportojë pranë organizatës sonë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com